Haradinaj: Imazhi i vendit nuk prishet nëse protestohet për mbrojte të sovranitetit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot në tubimet me struktura dhe aktivistë në Ferizaj dhe në Gjilan, ka përsëritur domosdonë e kundërshtimit qytetar të qeverisjes së keqe në vend.

Lajme

13/02/2016 14:33

Ai ka thënë se dallimi në këtë 17 Shkurt, është se opozita feston duke protestuar, ndërkaq qeveria feston duke mashtruar.

“Ne jemi të vetëdijshëm për sakrificën e brezave deri te pavarësia e Kosovës, por sot nuk jemi mirë dhe sa herë nuk kemi qenë mirë, ne kemi ditur t’i themi jo një gjendjeje të keqe.

“Ne sot jemi të zhgënjyer për mungesën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies ndaj shkeljes së Kushtetutës dhe keqqeverisjes”.

“Ne sot jemi të pakënaqur me degradimin e vazhdueshëm të shtetit, ndërkaq qeveria po mundohet të fshihet pas dështimeve të mëdha dhe humbjes së kredibilitetit institucional edhe në ditën e pavarësisë, duke kërkuar prej nesh që të mos e prishim imazhin e shtetit në ditë feste”, ka thënë ai thuhet në komunikatën e AAK-së.

Haradinaj ka thënë se imazhi i vendit nuk prishet kur qytetarët ngrisin zërin kundër shkeljes së Kushtetutës, rrezikimit të sovranitetit e korrupsionit

“Imazhi i shtetit nuk prishet, pse qytetarët e vendit e ngrisin zërin kundër shkeljes së kushtetutës, kundër rrezikimit të sovranitetit e të integritetit, kundër krimit e korrupsionit; me një fjalë kundër degradimit të skajshëm, që kjo qeveri po i  bën shtetit”.

“Me këtë protestë, qytetare e paqësore,  ne vetëm po i ndihmojmë imazhit të shtetit, duke e dërguar mesazhin e një shoqërie dinamike dhe të përgjegjshme, e cila din t’i thotë të mirës PO e të keqes JO”, ka thënë ai.

Opozita ka shtuar aktivitete e saja nëpër qytetet e Kosovës, për të mobilizuar qytetarët për protestën e 17 shkurtit.