Haradinaj: Franca partnere e fuqishme në proceset politike dhe ekonomike të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim anëtarin e Parlamentit dhe kryesuesin e Grupit të Miqësisë Francë – Kosovë, në Asamblenë Kombëtare të Francës, Bruno Questel.

Lajme

06/09/2018 16:24

Kryeministri Haradinaj, e falënderoi z. Questel, për gjithë mbështetjen që e ka dhënë shteti francez, si një partner i fuqishme dhe përkrahës i madh në proceset eurointegruese të Kosovës.

“Franca është me Kosovën që nga koha e luftës me një përkrahje të vazhdueshme dhe një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën duke mbajtur një pozicion shumë të qëndrueshëm për të drejtën e Kosovës për shpejtimin e Kosovës evropiane”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, e njoftoi z.Questel për proceset aktuale dhe prioritetet e Qeverisë, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve bilaterale Francë-Kosovë në planin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik në të mirë të dy vendeve dhe rajonit.

Ndërkaq, kryetari i grupit të miqësisë Francë-Kosovë në Asamblenë Parlamentare të Francës, Bruno Questel, e përgëzoi Kryeministrin Haradinaj për progresin që e ka bërë Kosova, duke e bërë të qartë se Franca ka qenë dhe do të jetë gjithmonë pranë Kosovës dhe duke shprehur interesimin pwr fuqizimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Në takim ishin të pranishëm edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, dhe ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi./Lajmi.net/