Grabovci: Me votë të popullit apo të deputetëve, Thaçi do të jetë president

Në vitin tjetër, Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, i përfundon mandati. Postin e të parit të shtetit pritet ta marrë lideri i PDK-së, Hashim Thaçi.

Lajme

19/04/2015 21:58

Por, deri atëherë, mund të ndryshoj edhe forma e zgjedhjes së të parit të shtetit. Ekziston mundësia që përmes ndryshimeve kushtetuese qytetarët e Kosovës, me votën e tyre, ta zgjedhin Presidentin e vendit dhe jo nga votat e deputetëve, si ka qenë deri tash.

E cilado prej formave, s’i pengon grupit parlamentar të PDK, që ka marrëveshje me LDK-në, që Hashim Thaçi në vitin 2016 me marr postin e Presidentit.

Kryetari i këtij grupi, Adem Grabovci, thotë se pa marrë parasysh se si ka me u vendos zgjedhja e presidentit, Thaçi ka me qenë në këtë post.

“Për, cilado variant të vendos parlamenti i Kosovës, sepse është organ vendimarrës, absolutisht jamë shumë i sigurtë se ai do të jetë President. Kjo se është i padiskutushëm është lider i mirëfillt, ka vlerat që vërtet duhet t’i ketë një President i vendit.

Grabovci vlerëson se nuk jemi të vonuar edhe për reformën në zgjedhjen e Presidentit.

Mirëpo, opozita është e një mendimi tjetër. Kryetarja e Grupit Parlamentar të AAK, Donika Kada-Bujupi, thotë se sistemi i parlamentarizmit nuk mundet të ndryshohet për interesat e personave të caktuar.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, në ndryshimin e zgjedhjes së të parit të vendit, nuk mendon se ndryshohet edhe sistemi nga parlamentar në presidencial.

Madje, Krasniqi thotë se prej vendeve të rajonit, asht Kosova, Shqipëria dhe Greqia, që Presidentin e vendit e zgjedhin në Kuvend.

Ndryshe, zgjedhja e Presidentit me ligjin aktual, rregullohet me nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, ku thotë se Presidenti zgjidhet jo ma vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit.

E për të kandiduar, duhen 30 vota, ndërsa për me u zgjedh, duhen dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjë kandidat nuk i merr dy të tretat (2/3) e votave në dy votimet e para, zhvillohet votimi i tretë mes dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin ma të madh të votave në votimin e dytë. Kandidati që e merr shumicën e votave të gjithë deputetëve në votimin e tretë, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

E ne rast se dështon prape, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja që duhet me u bajt brenda 45 dite. /Rrokum/