Goditeni Serbinë duke plotësuar ligjin e Gjykatës Speciale – Lajmi.net
Goditeni Serbinë duke plotësuar ligjin e Gjykatës Speciale
Autori: Edmond Ekrem Krasniqi LajmeOp-EdOpinionPolitikë 18:16, 11 January 2017
Në Hagë, në Gjykatën Speciale për Kosovën, duhet kërkuar ndëshkimin e kriminelëve të Serbisë për vrasjen e 13,000 shqiptarëve dhe ky ndëshkim mund të niset që me plotësimin e ligjit të kësaj gjykate selektive që e formuan PDK dhe LDK - bashkë me deputetët e pakicave, pas presioneve të perëndimit.

Arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë me kërkesë të Serbisë ka shpalosur një kënd tjetër të qyqarllëkut madhor të Qeverisë dhe krerëve të partive parlamentare shqiptare, si dhe të krejt deputetëve të tyre në parlamentin e Kosovës.

Jo vetëm qyqarllëk, por edhe injorancë totale të kësaj klase politike për të bërë diçka konkrete ndaj Serbisë në vend të krekosjeve dhe ankesave të përditshme nëpër media dhe FB të tyre prej fëmijësh.

Së shpejti, ish-anëtarë të UÇK-së pritet që të dërgohen në Hagë nën akuzat për krime lufte.

Ndoshta jo ish-krerët më të mëdhenj të UÇK-së por, për shkak të rrethanave politike brenda Kosovës dhe atyre rajonale, disa të rangut më të vogël.

Këtyre ditëve ka edhe ftesa nëpër media të disa deputetëve se Kosova duhet të bëjë aktakuza ndaj kriminelëve të Serbisë. Këta që i bëjnë këto kërkesa folklorike harrojnë ose nuk e dinë se p.sh. për masakrën e Krushës së Madhe, gjenerali Serb Momir Stojanoviq dhe 16 të tjerë janë akuzuar nga Gjykata e Gjakovës (Prokuroria vendore në bashkëpunim me EULEX-in).

Për këta kriminelë UNMIK-u, në emër të Kosovës, ka dërguar kërkesë arresti ndërkombëtar dhe fytyrat e tyre janë publike në faqen e internetit të Interpolit që 23 muaj, pra afër dy vite.

Serbia nuk po i dërgon këtë njerëz të saj në Kosovë për gjykim dhe nuk do t’i dërgojë kurrë.

Prandaj, folklorizmi është i kot. Prandaj, puna e gjykatave të Kosovës dhe puna e EULEX-it me këto aktakuza po shkon kot. Nuk po themi se këto aktakuza nuk duhet të bëhen, ato duhet të bëhen edhe nga gjykatat tona. Por, ajo çka duhet bërë në rend të parë dhe gjithsesi dhe që mund të ketë rezultat konkret është që këta kriminelë të dërgohen në Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë.

Kjo gjykatë është selektive. Drejtësia selektive nuk është drejtësi aspak.

Prandaj, Parlamenti i Kosovës duhet që të plotësojë ligjin për këtë gjykatë. Krerët e partive shqiptare në pushtet (Isa Mustafa dhe Kadri Veseli) e kanë rastin që të testojnë pretendimet e tyre se gjenden në këto pozita për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

Por, ata po heshtin ndaj kërkesave tashmë dymuajshe të shoqatës ‘Familja dhe Shpresa’. Tre dërgesa publike në adresa të tyre elektronike janë dërguar deri më tash. Jo vetëm tyre por edhe stafit të tyre dhe deputetëve të Kosovës.

Të gjithë po heshtin, përpos Pal Lekajt të AAK-së i cili në një përgjigje elektronike përsëriti qëndrimin e partisë së Ramush Haradinajt (apo të tij personal) se AAK është kundër kësaj gjykate.

Por, ky qëndrim tashmë është i pavend. Gjykata Speciale tashmë është krijuar, ajo ekziston. Nuk ka gjykatë tjetër e cila mund të gjykojë qindra kriminelë serbë të cilët gjenden të lirë nëpër Serbi nën mburojën e qeverisë së Aleksandar Vuçiçit (kryeministrit të Serbisë).

Partitë opozitare shqiptare duhet që të ndryshojnë qëndrimet e tyre të ngurta ndaj kësaj gjykate.

Të gjitha partitë shqiptare në parlament : PDK, LDK, VV, AAK dhe NISMA duhet të kenë dëshirën dhe guximin që të plotësojnë këtë ligj të mbrapshtë.

Askush nuk mund të fajësohet më shumë se këto pesë parti dhe krerët e tyre pse ky ligj është kaq gjysmak.

Lëreni FB-folklorizmin dhe FB-patriotizmin. Plotësojeni këtë ligj dhe mos u trembni nga presionet e perëndimorëve. Parlamenti është i Kosovës, pra i yni. Ligji për këtë gjykatë u miratua nga Parlamenti i ynë i Kosovës. Parlamenti mund dhe duhet ta plotësojë këtë ligj.

Le të mbetet në ndërgjegjen e perëndimorëve pastaj, nëse Serbia do të refuzojë që të bashkëpunojë me këtë gjykatë e të mos i dërgojë kriminelët e saj atje. Në këso rrethana pse atëherë të dyshuarit e UÇK-së do të duhej dërguar në Hagë ?

Në këto rrethana as vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga BE nuk ka më asnjë arsyetim as moral e as politik.

Fati i kriminelëve serbë është në duart tuaja Isa, Kadri, Visar, Ramush e Fatmir. Mos u fshihni. Mos heshtni, por bëhuni trima dhe niseni kundërsulmin ndaj Serbisë përmes ligjit i cili është në duart tuaja dhe askujt tjetër.

Fjalët kyçe: Edmond Ekrem Krasniqi

Fotolajm

Trudeau ndihmon një të ri me karrocë (Foto)
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Turbo Racing 3
  • Play Bike Rivals
  • Play Berry Rush
  • Play Urban Basketball