Gjermania shprehë shqetësim për incidente të reja në Maqedoni

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë u ka bërë thirrje qytetarëve gjermanë që t’u shmangen udhëtimeve në Kumanovë.

Lajme

12/05/2015 13:45

Përmes një komunikate për njoftim, MPJ e Gjermanisë ka konstatuar se konflikti i armatosur i së shtunës në Kumanovë, mund të përshkallëzohet, duke mos përjashtuar incidente të reja.

“Situata në Kumanovë është qetësuar përkohësisht, por ende ka mundësi përshkallëzimi, duke pasur parasysh tensionin ndëretnik. Për këtë arsye, kërkojmë që rajoni të shmanget nga udhëtimet”, thuhet në këtë komunikatë e cila i referohet udhëtimeve jashtë vendit për shtetasit gjermanë, transmeton lajmi.net.

Në këtë njoftim më tej thuhet se më 9 maj “në Kumanovë, në afërsi të kufirit me Serbinë dhe Kosovën ka ndodhur një aksion policor kundër grupeve të armatosura”, duke shtuar se, sipas njoftimit të autoriteteve maqedonase, 22 persona janë vrarë, ndërsa shume të tjerë janë plagosur.

“Të gjithë atyre që dëshirojnë të përdorin pikëkalimet kufitare afër Kumanovës, u rekomandojnë që të udhëtojnë përmes Bullgarisë”.

Ndërsa për ata qytetarë gjermanë që aktualisht gjendet në rajon, qeveria nga Berlini ka thënë se duhet t’u përmbahen këshillave të autoriteteve lokale.(lajmi.net)