Gjermania kërkon vazhdim të dialogut

Andreas Schockenhoff kërkon nga partitë politike në Kosovës që të vazhdojnë dialogun me Serbinë. 

Lajme

20/06/2014 13:44

Këshilltari i Kancelares së Gjermane, Angela Merkel, Andreas Schockenhoff, ka kërkuar nga partitë politike vazhdimin e dialogut me Serbinë, raporton KTV .

Në takimin me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Gjermania nuk ka mirëkuptim për disa parti që kërkojnë ndërprerjen e dialogut.

“Ne jemi për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash. Nuk ka rrugë tjetër, prandaj ne nuk kemi as mirëkuptim ndaj disa partive që kërkojnë ndërprerjen e dialogut”, ka deklaruar ai pas takimit me liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Ai ka theksuar se është në përgjegjësinë e partive në Kosovë që në bazë të rezultateve, ta krijojnë një qeveri stabile dhe të sigurt.

Schockenhof ka shfaqur shpresën se të gjitha partitë në Kuvend do të angazhohen në mënyrë konstruktive për të çuar Kosovën përpara në integrim në BE. Ai ka siguruar se nuk do të ketë ndërhyrje nga jashtë për krijimin e qeverisë së re. Ai mbrëmë ka takuar veç e veç liderët e partive politike.