Gjatë këtij viti në Kosovë janë konfiskuar qindra armë dhe mijëra municione

Mbajtja e armëve pa leje vazhdon të jetë shqetësuese për shoqërinë kosovare dhe institucionet e sigurisë.

Lajme

23/11/2016 18:26

Që nga pas lufta qytetarët e Kosovës kanë poseduar armë në mënyrë të paligjshme, e kjo ka bërë që të shkaktohen një numër i madh i vrasjeve dhe i incidenteve të ndryshme, raporton lajmi.net.

Sipas organizatave ndërkombëtare dhe ekspertëve të sigurisë në vend, supozohet se ekzistojnë mbi 300 mijë armë ilegale.

Gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2016 janë konfiskuar 845 armë dhe rreth 10 mijë e 500 municione të ndryshme.

Në Policinë e Kosovës thonë se të gjitha këto raste i trajtojnë duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente.

“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla”, thuhet në përgjigjen e Policisë për lajmi.net.

Kujtojmë se sot Qeveria ka miratuar edhe Shqyrtimin e Projektligjit për Legalizimin e Armëve dhe Dorëzimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, Municionit dhe Mjeteve Eksplozive.

Për këtë projektligj zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se duhet të autorizohet MPB-ja që personat të cilët dorëzojnë armët vullnetarisht, të amnistohen. /lajmi.net