“Gjarpri” drejt misionit të presidentit

I shantazhuar apo shantazhues, Hashim Thaçi del se është i paracaktuar për t’i zgjidhur nyjat e Kosovës, të cilat ose i ka kurthuar vetë, ose ia kanë kurthuar të tjerët.

Opinion

19/02/2016 21:30

Edhe rruga e tij gati e sigurt për postin e presidentit kalon nëpër shumë vështirësi, ashtu si dhe gjithë karriera e tij luftarake dhe politike. Por megjithëkëtë, ai është paracaktuar që të arrijë gjithçka që dëshiron. Në fund të fundit, nga gjithë misionet e tij të pamundshme, misioni për tu bërë President, duket më reali.

Në një zyrë të improvizuar në Velani, që konsiderohej rektorat, në gjysmën e dytë të viteve 90, më thirri rektori i atëhershëm i Universitetit, prof. dr. Ejup Statovci. Duke biseduar për statusin e Universitetit të Prishtinës dhe për atë çfarë mund t’i ndihmonte këtij institucioni Radiotelevizioni Shqiptar, nё zyrë hyri  një djalosh, i cili më shumë dukej si nxënës i shkollës së mesme sesa si student universiteti, pyeti diçka dhe brenda pak minutash e lëshoi zyrën.

“A e njohe kush ishte?”,- më pyeti rektori dhe vazhdoi: “Është student-prorektor, por gjithnjë e më shumë po bindem se ky i ri është i përcaktuar për role vendimtare në fatin e Kosovës”.

Nuk e mora seriozisht këtë profetizëm të rektorit Statovci, mbase për shkak se aty kisha shkuar për një punë krejt tjetër dhe m’u duk se rektori, si rrallëherë, ishte i entuziazmuar me punën e studentit-prorektor të tij.

Kur në vitin 1997,  gjithnjë e më shumë, flitej se Kosova do të hynte në luftë dhe kur protestat e studentëve të 1 tetorit të po këtij viti e bënë të qartë se Kosovës nuk i kishte mbetur asnjë alternativë tjetër, pos hyrjes në luftë, atëherë pyetja më elementare ishte: Kush do ta udhëheqë atë luftë?

Rrallëkush ka mundur të besojë se djaloshi nga Broja e Drenicës, i cili kishte hyrë në zyrën e rektorit për të pyetur për diçka, do të ishte ai që gjithnjë do të lakohej dhe pjesëtohej se është vendimmarrësi kryesor në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pra protagonisti i luftës së Kosovës.

E vërteta është se ai djalosh asnjëherë nuk e konfirmoi këtë, as para luftës, as gjatë luftës e as pas saj, duke u kamufluar me funksionin e drejtorit të drejtorisë politike të UÇK-sё.  Ky funksion, në të vërtetë, gati për askënd nuk do të nënkuptonte se është përfaqësuesi dhe vendimmarrësi kryesor në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Kur në muajt e parë të vitit 1999 filloi të flitej për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe kur u përcaktua që pikërisht ai djalosh ta udhëhiqte delegacionin e Kosovës në Rambuje dhe në Paris, u dëshmua qartë se profetizmi i rektorit Statovci kishte qenë tejet i saktë.

Këmbëngulës dhe kryeneç

Drama e Konferencës së Rambujesë, këmbëngulësia gati kryeneçe e shefit të delegacionit të Kosovës që në dokumentet e Konferencës të futej diçka, e cila nuk do të lejonte që Kosova sërish të kthehej nën Serbi, do ta shquante protagonistin Hashim Thaçi jo vetëm në përmasa kombëtare, por edhe në ato ndërkombëtare. Pyetja e tij drejtuar anëtarëve të delegacionit të Kosovës: “O njerëz, a jemi të vetëdijshëm se çka aprovojmë dhe çka duhet të nënshkruajmë?”, e cila vinte si jehonë e trishtueshme nga Rambujeja, e trondiste jo vetëm opinionin në Kosovë, por edhe atë ndërkombëtar. Do ta nënshkruajё apo jo  marrëveshjen e Rambujesë Hashim Thaçi, kjo ishte një çёshtje për jetë a vdekje e popullit të Kosovës. Për kёtё çështje pothuaj hamletiane, ky protagonist i saposhfaqur do të duhej të jepte test edhe para popullit të vet, por edhe para gjithë atyre që konsideroheshin si miq të Kosovës. Krahas testit, ai duhej “t’i pinte disa gota helm”, nga të cilat nuk dihej a do të mbetej gjallë kombëtarisht dhe politikisht.

“Gjarpri”, siç e kishte nofkën e luftës, do të gjente një solucion që edhe ta ruante njëfarë qetësie në shtëpi, por edhe ta çonte në vend këmbëngulësinë e ndërkombëtarëve, sidomos të amerikanëve dhe të shefes së diplomacisë së tyre, zonjës Ollbrajt, e cila kishte deponuar kredibilitet të jashtëzakonshëm personal në fatin e Kosovës.

Sërish “Gjarpri” do të dilte fitues edhe para faktorit kombëtar, por edhe para atij ndërkombëtar, duke dëshmuar edhe njëherë profecinë e rektorit të tij të dikurshëm.

Episodet e dramës së Kosovës, të frikshme dhe trishtuese, ndërroheshin njëra pas tjetrës. Kur filluan bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, u pa se Marrëveshja në Rambuje dhe nënshkrimi i saj në Paris ishin bërë përcaktues të fatit të Kosovës, ndonëse ditët dhe muajt e vuajtjeve të popullit të saj shkallëzoheshin në përmasa biblike. Pikërisht kjo ishte koha kur duhej varur shpresat në një njeri dhe këto shpresa nuk kishin adresë tjetër, pos te shefi i delegacionit të Kosovës në Rambuje apo te drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së. Ç’është e vërteta, nuk mund të thuhet se këto shpresa u përmbushën plotësisht, por rrjedha e ngjarjeve dërgonte në përmbushjen e aspiratës së popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare. Marrëveshja në Rambuje, qё brenda delegacionit të Kosovës  duhej krijuar një qeveri e përbashkët mes  krahut të rezistencës paqësore dhe krahut luftarak, nuk arriti  të realizohej tërësisht dhe kjo, mbase, protektoratin ndërkombëtar mbi Kosovën e bëri shumë më të egër dhe shumë më të vështirë, si dhe e zgjati rrugën  e pavarësimit të Kosovës.

Hashim Thaçi e krijoi Qeverinë e Përkohshme dhe, ashtu siç ishte e përgjysmuar kjo qeveri, bëri krejt çka mundi, por kryeministri i saj nuk kishte ç’të bënte më tepër me një qeveri të përgjysmuar, kur gjysma e popullit nuk kishte përfaqësim në të. Kjo nyjё e fatit të Kosovës ka mbetur fare e pazbërthyer, pavarësisht se në komplikimin e situatës a kishte më shumë faj Rugova apo, si zakonisht, faji duhej t’u takonte të dyja palëve,  kujt më shumë e kujt më pak.

Kryeministri i Qeverisë së përkohshme të Kosovës, me rrezikimin që bëri, do të marrë mbi supe shumë përgjegjësi dhe shumë faje të bëra dhe të pabëra, që do t’i hakmerren atij dhe partisë që krijoi, duke e lënë në opozitë. Kur, më në fund, faktori ndërkombëtar, sidomos ai amerikan, vlerësoi  se janë harxhuar të gjitha alternativat dhe për Kosovën duhet marrë një vendim se çfarë statusi do të ketë, edhe faktori i brendshëm, sidomos faktori që aq gjatë e kishte kundërshtuar Hashim Thaçin në pretendimin e tij për të qenë kryeministër i Kosovës, tanimë nuk kishte alternativë tjetër as për statusin e Kosovës, përveç krijimit të saj si shtet i pavarur dhe as për atë se kush do të duhej të ishte protagonisti kryesor në këtë proces. Natyrisht, njëshi ishte paracaktuar Hashim Thaçi.

I shantazhuar apo shantazhues, më në fund, ai do ta marrë rolin e prijësit të proceseve në Kosovë, që nga përgatitjet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës e deri te krijimi i raporteve të reja  mes Kosovës së kolonizuar dhe Serbisë kolonizuese.

Në vend të armiqësisë, krijoi miqësi

Do të kalojnë pesë vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, kur kryeministrit të saj, nga Brukseli dhe Uashingtoni, do t’i kërkohet ta vërё vetveten edhe në një sprovë tjetër: në vend të armiqësisë, të krijojë miqësi mes popullit shqiptar dhe atij serb. Për shumëkënd, jo vetëm në Kosovë, ky dukej një mision i pamundur, mirëpo nuk ishin të paktë ata që konsideronin se është dashur t’i hyhet sprovës. Është e qartë se si Prishtina, po ashtu edhe Beogradi, në këtë pajtim historik, duhet ta spërkasin vetveten me shumë shtrëngata helmi, se protagonistët e saj kryesorë, të cilët e kishin shikuar njëri-tjetrin nëpërmjet tytës së pushkës, tani duhej t’i shtrëngonin duart dhe të shndërroheshin në krijues të paqes. Dhe, porosia e presidentit amerikan Klinton, shprehur mu në mes Kosovës: “Ne luftën, ju paqen”, tani po merr dimensionet e saj praktike.

Hashim Thaçi do të ballafaqohet edhe me një sfidë që rrallë kush mendonte se do të tejkalonte. Ai i fitoi zgjedhjet e kaluara parlamentare, por askush nuk donte të hynte në qeverisje me të nga ata që mund t’ia plotësonin numrat për të qeverisur me vendin. Dhe sërish, kur rrallë kush besonte se ai edhe një herë mund të krijojë koalicionin e madh qeveritar, ai edhe një herë ia arriti.

Tani do të ballafaqohet me reagimet e ashpra të opozitës. Sa për t’iu hakmarrë kryeminsitrit që ia liroi vendin, aq edhe për ti treguar se nuk mudn të qeverisë më me Kosovën ashtu siç ka qeverisur. Një përplasje e jashtëzakonshme e pozitës me opozitën, e cila jo vetëm donohet nga oponioni i gjerë shqiptar, por edhe nga faktorët ndërkombëtar, atë përsëri e gjen jashtëzakonisht të fuqishëm, por megjithëkëtë, zëvendëskryeminsitër, që do të thotë se dikush tjetër ka më shumë përgjegjësi se ai vetë. Dhe pikërisht në këtë dramë ai, kërkon postin e Presidentit, të cilin sipas të gjitha gjasave edhe do ta marrë.

Megjithatë, duhet të thuhet se rruga e tij për postin e presidentit kalon nëpër shumë vështirësi, ashtu si dhe gjithë karriera e tij luftarake dhe politike. Por sidoqoftë, ai është paracaktuar që të arrijë gjithçka që dëshiron. Në fund të fundit, nga gjithë misionet e tij të pamundshme, misioni për tu bërë President, duket më reali.

Në fund duhet thënë edhe diçka: Një propagandë e tmerrshme që zhvillohet kundër Hashim Thaçit, për ta nxjerrë atë jashtë binarëve të çështjes kombëtare, nuk mund të konsiderohet asgjë tjetër, pos një shitje e mjegullës, që nuk mund ta blejë askush.

Etiketat dhe fyerjet e mëdha, zakonisht përdoren, ashtu siç po ndodh në këtë rast, atëherë kur ka qëllime të mbrapshta, dhe kur në funksion të tyre nuk flet as një argument.