Gërxhaliu: Shteti nuk është pazar ekonomik për të krijuar institucione – Lajmi.net
Gërxhaliu: Shteti nuk është pazar ekonomik për të krijuar institucione
Autori: Lajmi.net EkonomiLajmePolitikë 15:03, 24 August 2017
Safet Gërxhaliu
Safet Gërxhaliu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, gjatë një bisede për Telegrafin ka thënë se kriza politike në të cilën gjendet sot vendi, është duke krijuar dëme të mëdha për ekonominë, gjë që do të ndikojë në tërheqjen e bizneseve të huaja.

“Është koha që ekonomia të jetë prioritet i shtetit; që të punohet më tepër e të flitet më pak. Sepse, mbi shtetin nuk duhet të jenë interesat e grupeve të caktuara. Shteti nuk është pazar ekonomik, për të krijuar institucione”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, pamjet që ofrohen nga seancat e Kuvendit të Kosovës janë shqetësuese për qytetarët, për komunitetin e biznesit në Kosovë, për korin diplomatik dhe, në veçanti, për investitorët e huaj.

“Një situatë e tillë është duke e dëmtuar imazhin e Kosovës. E, nga ky dëmtim nuk mund të pritet përmirësimi i situatës ekonomike”, thekson kryetari i OEK-ut.

Gërxhaliu shprehet se me lojën e formimit të institucioneve të reja, janë duke u bërë më shumë pazare ekonomike sesa zgjidhje të çështjeve dhe problemeve politike.

“Interesat shtetërore dhe ekonomike duhet të jenë mbi interesat politike”, thotë ai. “Nëse nuk kemi krijim të institucioneve, kemi trende negative ekonomike që mund të nxisin ikje të reja të të rinjve nga vendi. Përveç dëmeve politike, sociale e ekonomike, kjo situatë mund të ketë edhe pasoja psikologjike”.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, në këto rrethana nuk mund të arrihen parashikimet për rritje ekonomike prej 3.9 për qind.

“Është utopike të mendohet se do të kemi rritje ekonomike – sikur që është planifikuar – në këtë vakum institucional. Në fakt, jo vetëm që do të kemi rënie ekonomike, por do të kemi edhe rënie të investimeve të huaja”, ka thënë Gërxhaliu. “Pasojat në dimensionin ekonomike janë të mëdha. Jo vetëm që nuk kemi rishikim të buxhetit dhe përmbushje të kërkesave të sektorit privat, por kemi edhe probleme tjera: aplikimi i Pakos Fiskale 2 e cila, për t’u funksionalizuar, duhet të plotësohet me udhëzime administrative. Po ashtu, ka probleme sa i përket partneritetit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Prandaj, është e papranueshme që shteti të mbahet vetëm nga të hyrat doganore”.

Gërxhaliu shprehet se politikat duhet të kuptojnë realitetin se interesat politike nuk duhet të jenë para atyre shtetërore.

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play World Soccer Champion
  • Play Zombie Big Trouble
  • Play iStunt 2
  • Play Urban Basketball