Gënjeshtra e Reshatit

Babai i Leonardës, Reshat Dibrani, i ka thënë agjencisë Associated Press të premten se storia për Kosovën ishte një gënjeshtër me të cilën ai synonte një jetë më të mirë për gjashtë fëmijët e tij.

Lajme

18/10/2013 20:35

Babai i emigrantes rome e cila u bë e famshme në Francë tha të premten se ai ka pretenduar që familja e tij vjen nga Kosova me shpresën për ta marrë statusin e azilit politik.

Gënjeshtra nuk bëri punë, prandaj ai dhe familja e tij u përzunë si emigrantë ilegalë. Zbulimi i tij është kthesa e fundit në një tregim që tronditi qeverinë franceze dhe bëri që mijëra nxënës të shollave të Francës të dalin në rrugë për të protestuar në emër të koleges së tyre, raporton Associated Press.

Vajza 15 vjeçare u mor nga policia nga një udhëtim i nxënësve javën e kaluar dhe u përcoll për në Kosovë bashkë me familjen e saj. Me largime të tilla që ndodhin rregullisht në Francë përderisa vendi tenton ta ndalë emigrimin ilegal, rrethanat e arrestimit – në sy të bashkëmoshatarëve dhe mësuesve të Leonardës – shokuan shumë veta.

Qeveria socialiste franceze po e heton rastin. Ministri i Brendshëm Manuel Valls ka thënë se rezultatet e hetimit do t’i ketë deri të shtunën.

Megjithatë, çështje të tjera kanë dalë në sipërfaqe për historinë e familjes Dibrani.

Aktivistët të cilët kanë punuar më herët me këtë familje kanë thënë se kjo familje është larguar nga Kosova për shkak të diskriminimit ndaj romëve dhe mundësive të kufizuara.

Por, babai i Leonardës, Reshat Dibrani, i ka thënë agjencisë Associated Press të premten se storia për Kosovën ishte një gënjeshtër me të cilën ai synonte një jetë më të mirë për gjashtë fëmijët e tij.

Duke paraqitur certifikatat e lindjes së tyre, ai tha se ai është i lindur në Kosovë por është larguar për në Itali para disa viteve, dhe se fëmijët e tyre janë të lindur në Itali por nuk kanë shtetësi italiane. Ai kishte besuar se ata do të kishin mundësi më të mira për të gjetur një strehim të përhershëm në Francë sesa në Itali, prandaj lëvizi bashkë me familje në Francë nga Kosova e pasluftës e zhytur në varfëri.

“Ne thamë në Francë se kemi ardhur nga Kosova në mënyrë që të mund t’i marrim letrat”.

“Nëse do t’u thosha se jam kosovar dhe fëmijët më kanë lindur në Itali, atëherë Franca do të na thoshte të shkojmë në Itali”.

Sipas tij, shumë emigrantë provojnë rrëfime të njëjta.

“Ju mundoheni ta bëni atë që është më e mirë për familjen tuaj”, ka thënë Reshat Dibrani, për Associated Press .