Gazsjellësi TAP, ja si rekrutohen punonjësit dhe si bëhen shpronësimet

Përfitimet që do të ketë shteti shqiptar nga ndërtimi i rrjetit të gazit “Trans Adriatic Pipeline” nuk do të jenë vetëm ekonomike, por edhe sociale.

Lajme

24/04/2016 09:56

Gazsjellësi, që pritet të përfundojë në fund të vitit 2019, përveçse do të hapë mijëra vende pune, do të rrisë vlerën e pronave, do të nxisë investime indirekte, si dhe do të krijojë mundësi të reja me ndërtimin e rreth 100 km rrugë. Përgjegjësi i Sektorit të Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, Stavri Dhima, tregon në intervistë për “Shekulli”-n detajet e projektit gjigant dhe masat që janë marrë për shpronësimet dhe blerjen e tokave.

Dhima, në mes të kësaj jave teksa ka nisur një fazë e re e investimit të projektit TAP, ai është konsideruar projekt i shekullit për vendin tonë. Çfarë e bën këtë projekt kaq madhor për t’u përfolur si i tillë?

Projekti TAP është një projekt unik në natyrën e tij, sa i përket sektorit të energjisë në Shqipëri, përshirë energjinë elektrike dhe gazin. Është një projekt unik dhe në lidhje me sektorët e tjerë, pasi ky investim e përfshin Shqipërinë në rrjetet më të rëndësishme dhe më kryesore të shkëmbimit e të transmetimit të energjisë në nivel evropian dhe më gjerë. Praktikisht, TAP-i është pjesë e një zinxhiri projektesh që quhet Korridori Jugor i Gazit dhe që nis nga deti Kaspik në Azerbajxhan dhe vijon në Kaukazin jugor, në Gjeorgji, Turqi, Greqi, Shqipëri e Itali. Ky projekt dhe ky korridor i hap një mundësi të re Evropës për t’u furnizuar me një burim të rëndësishëm energjie, përveç rrugëve që janë nga Afrika Veriore dhe Rusia. Duhet ditur për rëndësinë e këtij projekti që zona e Kaspikut (Irani, Azerbajxhani, Turkmenistani), por tashmë edhe Mesdheu lindor (Izraeli, Qipro, Egjipti) janë evidentuar si zonat me rezervat më të mëdha të gazit. Pra, rëndësia e këtij projekti në aspektin gjeopolitik dhe gjeostrategjik është e jashtëzakonshme, qoftë në pikëpamjet ekonomike, qoftë në pikëpamjet e mundësive që ofron në garantimin e përfshirjes së Shqipërisë në këto rrjete të rëndësishme të energjisë. Pra, këto janë arsyet kryesore, që ne e quajmë TAP-in projektin e shekullit.

Cilat janë përfitimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta që do të marrin banorët që jetojnë pranë zonave ku kalon gazsjellësi, por edhe të pjesës tjetër të popullsisë?

Ndërkohë, ne do të kemi përfitime direkte, të cilat janë të natyrës së dyfishtë, për sa i përket qytetarëve shqiptarë. Qytetarëve në tërësi dhe sidomos atyre që jetojnë në zonat ku do të kalojë gazsjellësi. Janë përfitime që u shkojnë si vlera të drejtpërdrejta për pagesat e qirave, pronës e tokës. Në shumë zona toka do të merret me qira, ndërsa në zona të tjera të caktuara, ku do të ndërtohen stacionet, toka ose prona do të blihet. Vetëm në rastet, kur nuk arrihet mirëkuptim mes pronarit të tokës dhe kompanisë, do të përdoret shpronësimi. Por, duhet theksuar se, përgjithësisht janë gjetur kompromiset dhe në të dyja rastet, si blerja, ashtu dhe shpronësimi bëhet me tarifa, të cilat janë më favorizuese se ato që përdoren zakonisht. Janë tarifa që paguhen në bazë të asaj që quhet, pagesa për rehabilitimin e jetës, sipas standardeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Sa i përket punësimit, si do të rekrutohen punonjësit dhe çfarë parashikon kontrata për ta?

Punësimi është një përfitim që ka dy aspekte në këtë investim. Punësimi ka të bëjë me punësimin direkt (deri tani janë rreth 1000 të punësuar, nga të cilët 96 për qind janë shqiptarë). Me fillimin e shtrimit të tubit do të punësohen edhe 1000 të tjerë, ku do të synohen punëtorët shqiptarë, por fillimisht mund të ketë edhe teknikë ekspertë, për të cilët ka mungesa në vend. Vetë TAP-i është ai që bën punësimet, por kompania ka detyrimin në kontratën që ka nënshkruar që të ketë prioritet për punonjësit shqiptarë, për të njëjtin nivel kualifikimi. Pra, po themi në rastin e dy saldatorëve, një shqiptar dhe një i huaj, nëse i pari ka të njëjtin kualifikim, fiton vendin e punës. Kjo është një nga kërkesat e përsëritura në çdo takim. Një përfitim tjetër, krahas punësimeve direkte, do të jenë edhe ato indirekte me ngritjen e hoteleve, restoranteve, transporteve etj., dhe këto punësime mendojmë se janë të konsiderueshme. Pra, ju keni dëgjuar tashmë se qiratë e shtëpive në Skrapar janë rritur. Një tjetër përfitim për komunitetin është ndërtimi i 100 kilometrave rrugë në zonat ku do kalojë gazi, si dhe rehabilitimi dhe ndërtimi i urave, që do të bëhen të shfrytëzueshme nga banorët.

1 miliard dollar investime

“Nëpërmjet projektit TAP krijohet mundësia që të gazifikohet Shqipëria (të kemi furnizim me gaz) një lëndë shumë e rëndësishme për prodhimin e energjisë elektrike, vënia e TEC-it të Vlorës në funksion, ndërtimi i TECeve të reja, uzinat dhe fabrika të tjera që krijojnë mundësi prodhimi etj.”, tregon Dhima, teksa e pyesim më tej për benefitet që do të ketë ekonomia shqiptare nga ky projekt. Ai shton e gazi do të bëhet burimi më i madh në vend i shfytëzimit dhe do të zëvendësojë lëndët e tjera që përdoren sot. “Në vend të lëndëve të tjera alternative, do të mund të përdorim gazin, i cili është më i lirë dhe më ekologjik”. Ndërkohë, Dhima sqaron edhe kontributin e madh që do të japë kompania ndaj Shqipërisë. “Përfitimi tjetër është ai ekonomik, që ndahet si përfitim në lidhje me shtetin. Përfitimet kanë të bëjnë me të ardhurat që vijnë nga pagesat (taksat, tatimet) që bën kompania për shtetin, ose grantet që do të jepen për të mbështetur iniciativa të ndryshme në çështjet e mjedisit, infrastrukurës etj. Në këtë mes është dhe vlerësimi që përmendi edhe kryeministri në ceremoninë e Spitallës disa ditë parë, që Shqipëria sipas vlerësimit të një studimi të Institutit të Energjisë së Oksfordit parashikohet të fitojë rreth 1 miliardë dollarë investime, por ne mendojmë për më tepër”, shprehet Dhima.

Të ardhurat, përfitimet në raport me Greqinë

Është folur edhe për çështjen e ndarjes së përfitimeve simetrike. Çfarë nënkupton kjo për vendin dhe rajonin njëkohësisht?

Kryeministri Rama përdori një term korrekt kur tha se përfitimet duhet të jenë simetrike. Projekti TAP kalon në Shqipëri, Greqi dhe në Itali. Greqia ka rreth 550 kilometra, ndërkohë që në tokën shqiptare kalon në 219 kilometra. Ideja është që ne të kemi një të kemi një trajtim dhe përfitim proporcional. Pra, përfitimet të jenë të barabarta në të tre shtetet, për çdo njësi investimi që bën TAP-i. Duke qenë se marrëveshja që ka nënshkruar qeveria shqiptare me TAP-in është e para marrëveshje e nënshkruar (Greqia e nënshkroi më vonë), nisur dhe nga përvoja, që ne nuk e kemi për projekte të tilla, në një marrëveshje tjetër që është miratuar njëkohësisht me marrëveshjen bazë është parashikuar që në rast se marrëveshja me Greqinë do të ketë përfitime më të mëdha simetrike, në krahasim me marrëveshjen me Shqipërinë, atëherë të dy palët, qeveria shqiptare dhe TAP-i do të ulen për të bërë përmirësimet në marrëveshje. Kjo është kërkesa që ka shprehur kryeministri dhe për këtë po punon edhe Ministria e Energjisë.

Sipas afateve të përcaktuara në projekt, kur do të mbyllet përfundimisht ndërtimi i gazsjellësit TAP?

Projekti mbyllet në fund të vitit 2019 dhe bëhet efektiv në janar të vitit 2020. Këto janë parashikimet dhe deri tani, realizimi i projektit ka ecur sipas parashikimit.

Përpos TAP-it, një projekt tjetër i rëndësishëm është edhe ai rajon IAP, që lidh Shqipërinë me Kroacinë. Sa ka avancuar ky investim?

Ky projekt, përveçse e lidh Shqipërinë me një nga linjat më të rëndësishme të furnizimit me energji, i jep mundësi vendit tonë të shndërrohet në një vijë shpërndarëse për projekte të tjera të rajonit. Pikërisht, nga TAP-i do të nisë edhe projekti tjetër që do të lidhë Shqipërinë me Kroacinë (Projekti Jonian-Adriatik), i cili tashmë edhe ky është në një fazë të avancuar. Është bërë studimi i fizibilitetit dhe ne si shtet kemi aplikuar pranë Bashkimit Evropian për financim të projektit teknik kryesor. Meqenëse ky projekt shtrihet në Kroaci dhe kjo e fundit ka disa avantazhe si vend i BE-së, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë aplikuar së bashku për një investim prej 5.5 milionë euro për të bërë projektin teknik të IAP. Po kështu, ne kemi aplikuar për studim fizibiliteti për lidhjen e Shqipërisë me Kosovën për rrjetin e gazsjellësit, i cili do të jetë edhe ky nëpërmjet ndihmesës së TAP-it ose me dy mundësi të tjera, nga Lezha ose nga Fieri, drejt Kosovës përmes IAP. Këto janë avantazhet që vijnë prej TAP-it dhe për t’ju përgjigjur këtij investimi, ministria jonë ka marrë përsipër përgatitjen përmes një asistence nga Bashkimi Evropian dhe financimit 1.1 milionë euro përgatitjen e masterplanit të gazifikimit të Shqipërisë apo shtrirjen e rrjetit të gazit në të gjithë territorin.