Garë mes profesorëve të UP-së për të marrë sa më shumë studentë në provim

Mbi një mijë studentë i kanë rënë “hise” t’i testojë gjatë afatit të shtatorit njërit profesor të lëndës Makroekonomia I, në Fakultetin Ekonomik, kurse profesori tjetër i së njëjtës lëndë ka pyetur vetëm 9 studentë.

Lajme

17/10/2014 09:13

“Koha Ditore” ka siguruar dokumentet, ku shihet se në së paku 12 lëndë ka pasur raste të tilla, ku nga dy profesorë të së njëjtës lëndë, tek njëri kanë hyrë në provim qindra studentë, e tek tjetri më pak se dhjetë studentë.

Madje, në një rast, një profesor ka pasur disa qindra studentë në provim, kurse kolegu i tij asnjë.

Dallimet që kanë ndodhur rreth organizimit të orarit të provimet e afatit të shtatorit në këtë fakultet kanë shqetësuar disa profesorë.

Duke folur me kusht që të mos u përmendet emri në gazetë, ata kërkojnë të dinë se si ka ndodhur kjo formë e organizimit, aq më shumë kur dihet se për çdo student që hyn në provim tek një profesor i caktuar ai paguhet nga 60 centë, si shtesë page.