Franca ndërron fjalët, tërhiqet nga bombardimet në Siri

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius ka thënë të hënën se vendi i tij nuk do të kryejë sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik IS, të vendosur në Siri, pavarësisht se Franca tashmë ka bombarduar grupe të tilla në veri të Irakut, javën e kaluar.

Bota

22/09/2014 19:56

Franca është shteti i parë që i është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sulme ajrore kundër IS, por vetëm në Irak.

I pyetur se pse Franca ka dërguar avion për të bombarduar objektivat e militantëve të IS në Mosul të Irakut, por jo edhe në Siri, Fabius ka thënë se qeveria e tij ka vepruar me urdhër të Bagdadit për të siguruar mbrojtjen nga ajri.

“Ne kemi pranuar të themi ‘Po’ sipas nenit 51 të kartës së Kombeve të Bashkuara, andaj edhe presidenti Hollande ka urdhëruar sulmet ajrore, që janë realizuar disa ditë më parë”, ka thënë Fabius, transmeton REL.

Ai ka përsëritur se Franca do të vazhdojë të përkrahë opozitën e moderuar siriane, që lufton kundër presidentit Bashar al-Assad.

“Por presidenti francez ka bërë të qartë se sa i përket sulmeve ajrore nuk do të veprohet  në Siri ashtu si në Irak”, ka shtuar ai.

Sipas Fabius, “është e mundshme të veprohet dhe pyetja nuk ka të bëjë me çështje të legalitetit ndërkombëtar. Por, së pari, Franca nuk mund t’i bëjë të gjitha. E dyta, ne konsiderojmë që është e domosdoshme të mbështesim opozitën e moderuar dhe të luftojmë Asadin”.