Florin Krasniqi i do emrat e ish-UDB’ashëve në Qeveri e Kuvend

Florin Krasniqi tha se Prokuroria duhet urgjentisht të marrë masa që të dihen kush janë UDB’ashët në institucionet e Kosovës. Ai ka kundërshtuar zërat që kundërshtojnë publikimin e emrave të bashkëpunëtorëve të dikurshëm të sigurimit shtetëror serb.

Lajme

13/02/2014 10:54

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Florin Krasniqi, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që t’i marrë në pyetje personat që kanë deklaruar publikisht se i dinë emrat e personave që kanë punuar për shërbimin sekret serb dhe që aktualisht kanë zënë vende në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Krasniqi u shpreh Prokuroria duhet urgjentisht t’i marrë në njerëzit e tillë në mënyrë që të dihen kush janë UDB’ashët në institucionet e Kosovës.

“Asesi nuk dua të flas për “ish`UDB’ashë”.

“Unë besoj se njeriu që ka punuar për UDB njëherë, deri në vdekje do të punojë për UDB’në”.

Ai ka kundërshtuar zërat që kundërshtojnë publikimin e emrave të bashkëpunëtorëve të dikurshëm të sigurimit shtetëror serb duke përdorur një krahasim:

“Është sikur të thuash unë e di ku është një bombë nukleare në Prishtinë, por nuk mund ta tregoj”, ka thënë ai.

“E ftoj Prokurorinë e Kosovës menjëherë  dhe urgjentisht t`i marrë këta njerëz në pyetje dhe menjëherë këta njerëz të tregojnë se kush janë njerëzit në radhët tona që punojnë për shërbimet informative të huaja e sidomos të atyre armike”.

“Këta njerëz prapë po bëjnë detyrën që kanë bërë me dekada, po krijojnë konfuzitet në radhët tona. Ne mund të mos pajtohemi politikisht dhe të argumentojmë gjithë ditën por mendoj se kombëtarisht pajtohemi”, ka thënë Florin Krasniqi.