Fitorja e të gjithëve: Pa viza në Evropë në vitin 2016

Çështja e fitimit të drejtës për të udhëtuar lirshëm në shtetet e BE-së, do të duhej të ishte Agjendë e shtetit të Kosovës, e të gjithë faktorëve në politikën kosovare.

Opinion

07/05/2015 08:46

Shtetet dhe shoqëritë, njëlloj si individët dhe familjet, mund të mbërrijnë në një situatë kur për mëkëmbjen e dinjitetit, për kthimin e besimit në vetvete, u duhet një ngjarje e cila pastaj do të shfrytëzohet si burim i ecjes përpara, i një mobilizimi të ri të fuqisë politike dhe shoqërore për ta ndryshuar veten për të mirë.

Kush do ta besonte, ta zëmë, që në rastin e Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore, një zhvillim i këtij lloji ka qenë futbolli dhe fitorja e parë e Kupës Botërore në Kampionatin që u mbajt në vitin 1954 në Zvicër. Megjithëse në vitet paraprake u pat instaluar demokracia në Gjermani, edhe pse falë SHBA-së, gjermanët nisën udhën e mbarë politike dhe ekonomike, çasti kur ata kuptuan që mund të shpëtojnë nga mallkimi i historisë së fundit, ishte pikërisht ajo fitorja në finalen e Kupës Botërore, ndaj ekipit të Hungarisë, shtet të cilit poashtu, futbolli i kishte mbetur i vetmi element i dinjitetit, kur dihej se ky shtet ishte i okupuar nga Bashkimi Sovjetik.

Të mos harrojmë: Futbolli në vitin 1954, nuk e kishte as një të njëqindtin ndikim çfarë e ka sot. Por, kaq kishte mjaftuar për t’i dhënë një vrull shoqërisë gjermane të atyre viteve.

Shqiptarët e Kosovës, megjithëse në rrethana krejtësisht të tjera, dhe të dalë  (më në fund), fitues në një histori të rëndë dhe tragjike, u duhet gjithsesi një këndellje, një kthesë e këtij lloji, sepse, siç dëshmoi zaten edhe vala e fundit e largimit të qytetarëve nga Kosova, shoqëria kosovare ka zbehur shumë atë momentumin politik dhe ekonomik, të krijuar me bërjen e shtetit të Kosovës, në vitin 2008.

Për këtë shkak, nuk është aspak për tu habitur se çfarë reagimi pati në Prishtinë dhe në mbarë vendin javën e shkuar, kur Klubi Basketbollistik i Prishtinës, fitoi Kupën Ballkanike. Sporti sot mund të tubojë në sheshet kryesore të Prishtinës më shumë se politika. Dhe këtu nuk ka gjë të keqe. Sporti mund të ofrojë një infuzion në përpjekjen e shoqërisë kosovare për të ri-gjetur veten dhe për ta kthyer atë dinamikën e shpresës dhe të besimit në vete, pa të cilën kurrë nuk do të çliroheshim në vitin 1999, dhe kurrë nuk do të bëheshim shtet në vitin 2008. Për këtë shkak zaten, emri i Majlinda Kelmendit është i njohur në çdo familje kosovare. Për këtë shkak, nuk ka sot shqiptar në Kosovë, i cili nuk e di se kush është Rita Ora, sepse suksesi i saj në muzikë, në art, i bën krenarë shqiptarët, kudo që janë.

Ky vit, mund të sjell në shoqërinë kosovare një tjetër lajm i cili gjithsesi do të shihej si një çast me vlerë të madhe, kur Kosova do ta zinte hapin me kohën. Tash e pesë vjet të plota, shqiptarët e Kosovës pyeten se çka u mungon, në krahasim me shtetet tjera të kësaj ane të Evropës, që nuk mund të udhëtojnë lirshëm, pa viza, në Bashkimin Evropian.

Tre muajt e parë të këtij viti, për shkaqe të njohura  (largimi masiv), u dukën që do t’i zhbëjnë gjasat që shtetasit e Kosovës të fitojnë këtë të drejtë. Megjithatë, në javët e kaluara, gjërat ndryshuan për të mirë. Po shihen shenjat e qarta që me një mobilizim të përgjithshëm politik, me një organizim më të mirë të punëve në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, së pari, Kosova mund t’i përmbushë në qershor kriteret e klasifikuara si teknike për t’i hequr qafe vizat, gjatë vitit 2016.

Ekziston një konsensus në skenën politike kosovare për këtë temë, i cili jo vetëm që duhet të mbahet, por mundësisht, edhe të pasurohet në javët vijuese. Pos një bashkëveprimi të plotë në relacionin Qeveri – Kuvend në jetësimin e kritereve teknike, do të duhej vendosë një koordinim po në këtë relacion  (Qeveri, Kuvend), edhe kur bëhet fjalë për fushatën diplomatike të Prishtinës zyrtare, e cila është e pashmangshme nëse dëshirohet të sigurohet përkrahja politike tek shtetet kryesore të BE-së, në sigurimin e kësaj të drejte. Pa këtë përkrahje politike është e pamundur të mbërrihet ky cak, aq i duhur për qytetarët dhe shoqërinë kosovare.

Pra, çështja e fitimit të drejtës për të udhëtuar lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian, do të duhej të ishte Agjendë e shtetit të Kosovës, e të gjithë faktorëve në politikën kosovare.

Qytetarët e Kosovës e meritojnë këtë lajm të mirë deri në fund të këtij viti.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)