Fiskalizimi, me hapa breshke

Me gjithë faktin se ka vite që ka filluar procesi i fiskalizimit të bizneseve të Kosovës, deri më tani as gjysma e tyre nuk janë pajisur me mjetet elektronike fiskale.

Lajme

31/08/2014 14:24

Nga mbi 130 mijë biznese, sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, deri tash Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka fiskalizuar 20,175, me gjithsej 25,970  pajisje të instaluara në këto biznese.

Valentina Bytyçi – Sefa, zyrtare për Komunikim me Publikun në ATK, thotë se procesi i fiskalizimit është proces permanentet, i cili ndërlidhet me hyrjen apo daljen e bizneseve në treg.  

“Projekti i fiskalizimit është vetëm një nga shumë projektet që zbaton ATK-ja dhe jemi në rrugë të mirë të implementimit tij. Deri tash numri i bizneseve të fiskalizuara është rreth 20,175, ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale është 25,970 sosh. Me këto arka fiskale mbulohet mbi 90 për qind e bruto qarkullimit në Kosovë”, bëri t; ditur ajo për Radion Evropa e Lirë.

Qëllimi i vendosjes së arkave fiskale, nga ATK-ja është shmangia e evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe shitjet në dyqane.

Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve ekonomike konsiderojnë se në rend të parë duhet të vlerësohen efektet e vendosjes së arkave fiskale.

Naser Grajçevci shprehet se disa biznese të vogla nuk kanë nevojë për vendosjen e këtyre arkave, pasi, sipas tij, nuk kanë mundësi t’i mbulojnë as shpenzimet e nevojshme për to.

“Mendoj se procesi i fiskalizmit është duke shkuar me ritme jo të shpejta, sepse ka nevojë për një edukim të bizneseve për nevojën e tyre. Arkat fiskale do të vijnë në përdorim nga nevojat e biznesit, jo shumë nga proceset administrative të futjes së tyre në biznes”, thotë Graiçevci për REL.  

Sidoqoftë, bizneset mundohen t’i “ikin” këtij  procesi, pasi, sipas tyre, përveç çmimit të lartë që duhet të paguajnë për aparat fiskal, ata janë të detyruar që për çdo vit të paguajnë një shumë të mjeteve për mirëmbajtjen dhe kontrollin vjetor të tyre.

Fakti që më së shumti i shqetëson përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ekspertët për çështje ekonomike, është se në shumicën e rasteve ndërmarrjet e mëdha, konkretisht pikat e karburanteve të naftës, nuk janë të pajisura me aparate fiskale, që po krijojnë pabarazi në treg.

Por, zyrtarë të ATK-së paralajmërojnë me kohë bizneset për obligimin e fiskalizimit sipas Ligjit për Administratën dhe Procedurat.

Në rast se bizneset nuk i bindën kërkesës, Valentina Bytyçi- Sefa thotë se atëherë vendosen gjoba konform ligjit në fuqi, me vlerë prej 1,000 eurosh.

“Në rast se bizneset nuk pajisen dhe nuk i binden kërkesës, atëherë sigurisht se vendosen gjoba konform ligjit 03/L-222, përkatësisht nenit 57- Ndëshkimi Administrativ për mospërdorim të pajisjeve elektronike fiskale. Vlera e gjobës për mospajisje me arkë fiskale është 1,000 euro. Dhe, sigurisht, këtu nuk përjashtohet mundësia e ndëshkimeve për bizneset, të cilat nuk janë fiskalizuar pavarësisht kërkesës së ATK-së për të bërë një gjë të tillë”, shpjegon Bytyçi – Sefa.

Autoritetet kompetente ndëshkojnë po ashtu bizneset edhe për moslëshim të kuponit fiskal, ku gjoba përcaktohet sipas qarkullimit vjetor, duke  filluar nga, 125  deri në 1,000 euro.