Fillon digjitalizimi i të dhënave të vjetra penale

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kanë nisur zyrtarisht procesin e digjitalizimit të të dhënave të vjetra penale.

Lajme

17/07/2018 16:13

Udhëheqësja e Ekipit të Sistemit Kombëtar Qendror të Evidencës Penale (NCCR) në Kosovë Yolanta Christova, u shpreh e lumtur për implementimin e këtij projekti që mundëson futjen e të dhënave në data bazë, të qytetarëve për të kaluarën e tyre penale.

Christova shtoi se puna për lansimin e këtij projekti ka nisur në vitin 2017, si dhe do të gjenerojë të dhënat që nga viti 1999.

“Një ndër qëllimet kryesore të këtij projekti është të përkrahë Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe të përmirësojë zbatimin e ligjit. Përmes kësaj do të krijohet data baza elektronike nga të gjitha gjykatat, në mënyrë që të ketë shërbim të shpejtë dhe efikas”, tha ajo.

Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Luigi Brusa theksoi se ky projekt është shumë i frytshëm dhe do të rritë efikasitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Brusa investimin dhe punën që po bën BE-ja për efikasitetin e drejtësisë në Kosovë e krahasoi me sistemin VAR që u përdor në Kampionatin Botëror Rusia 2018, në futboll për të identifikuar mundësitë për penalti.

“Pse po investojnë kaq shumë në sistemin e drejtësisë së Kosovës? Sepse rregullat e lojës duhet të jenë të qarta, sikurse në sistemin VAR në futboll për të mësuar a ka qenë penalti apo jo. Në këtë drejtim po punojmë edhe në Kosovë, të bëjmë një lloj VAR-i. Çdo qytetar në Kosovë duhet ta ketë të drejtën të dëshmojë se është i pastër apo jo sa i përket veprave penale”, deklaroi zyrtari i BE-së.

Ai shtoi se ky sistem ndihmon në statistika dhe themelimin e evidencës penale.

“Kemi nevojë që të fusim në sistem të gjitha të dhënat, me gjithsej 1500 regjistra. 50 persona janë angazhuar për të përmbushur boshllëkun”, tha ai.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi deklaroi se funksionalizimi i evidencës penale ka rëndësi të veçantë për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Funksionalizimi i këtij projekti do t’i shërbejë zbatimit të politikave publike. Me këtë evidencë pamundësohet keqpërdorimi i certifikatave që shërbejnë për punësim apo për viza. Sistemi Kombëtar Qendror i Evidencës Penale, do të eliminojë çfarëdo dileme për të kaluarën penale të personave”, tha Idrizi.

Qemajl Marmullakaj, sekretar në Ministrinë e Drejtësisë, tha se digjitalizimi i të dhënave është identifikuar si një ndër sfidat kryesore për sistemin e drejtësisë.

“Ky projekt do të mundësojë funksionim të drejtësisë më efikas, me transparencë dhe do të shërbejë për garancinë e sigurisë juridike të qytetarëve”, deklaroi Marmullakaj.