Festa e zbehtë e serbëve për Vidovdan dhe thirrjet kundër Erdoganit /FOTO

Qindra serbë nga Kosova dje jashtë saj ishin mbledhur sot në Gazimestan, në periferi të Prishtinës që të shënojnë Vidovdanin, apo Ditën e Shën Vidit.

Lajme

28/06/2018 15:46

Në orën 13:00, në Gazimestan filloi manifestimi i cili si zakonisht përcillet me një ritual fetar ortodoks serb.

Qytetarët e tubuar mbanin në duar flamuj të Serbisë dhe Rusisë.

Policia e Kosovës kishte ka hartuar një plan operativ dhe se kishte ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Përveç një incidenti me disa të rinj serbë që mbanin fanella me mbishkrime nacionaliste, manifestime ka përfunduar i qetë, shkruan lajmi.net.

Ajo që kësaj here bie në sy ishte numri i vogël i pjesëmarrësve në krahasim me vitet paraprake.

Pas përfundimit të liturgjisë u kënduan këngë nacionaliste serbe për Kosovën dhe u ndezën fishekzjarre.

Ndërsa organizata nacionaliste “Obraz”, ka shpalosur një transparent, ku shkruan ‘Nuk dua ta tradhtojë Kosovën”, duke bërë edhe simbole provokuese.

Në anën tjetër, në fjalimin e tij pas liturgjisë metropoliti i Rashkës së Prizrenit ka bërë thirrje nacionaliste që mos t’i kthehet shpina Kosovën dhe se ‘Kosova është djepi i Serbisë’.

Ai po ashtu ka thënë se në këto treva nuk duhet lejuar kthimi i sulltanëve të rinj.

“Erdogani nuk duhet lejuar të kthehet as në Serbi e as në Kosovë siç po bën me investime”. Kjo bëri që serbët e grumbulluar të shpërthenin me brohoritje.

Pelegrinët serbë janë shpërndarë duke brohoritur se ‘Kosova është zemra e Serbisë’.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës tha se nuk i ka dhënë leje të hyjë në Kosovë ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i cili paralajmëroi pjesëmarrjen në manifestimin në Gazimestan.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë tha se ky është një “veprim skandaloz” i Qeverisë së Kosovës.

“Është e qartë që një vendim i tillë është sjellë në koordinim midis Prishtinës dhe Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, me qëllim që ta poshtërojnë Serbinë”, tha përmes një komunikate Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, tha përmes një postimi në Facebook se Policia e Kosovës do të zbatojë ligjin në rast të futjes ilegale të kujtdo në territorin e Kosovës.

Shënimi i Ditës së Shën Vidit lidhet me përvjetorin e 629-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht humbjes së forcave ballkanike nga forcat e Perandorisë Osmane, si dhe vrasjes së princit serb Llazar. /Lajmi.net/