Fermerët në krizë,1 kilogram patate po e shesin për 15 centë

Në komunën e Vushtrrisë, e njohur në Kosovë dhe në rajon për kultivimin e patates, janë mbjellë 1.468 hektarë tokë, kryesisht në Pestovë, por edhe në fshatrat tjera, nga të cilët janë nxjerrë rreth 50 mijë tonë. Sfidë ka qenë edhe çmimi i ulët i shitjes, 0.15-0.17 euro për një kilogram, që është çmim shumë i ulët për fermerët.

Lajme

15/09/2017 08:57

Rreth 50 mijë tonë patate janë nxjerrë në këtë vit nga arat e komunës së Vushtrrisë, e njohur në rajon për kultivimin e saj. Rendimentet e sivjetme, pavarësisht thatësisë që ka mbretëruar, kanë qenë të larta dhe fermerët janë shprehur të kënaqur.

Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik dhe Bujqësi në komunën e Vushtrrisë, Arta Haxhaj, i tha “Zërit” të hënën se në gjithë rajonin e komunës ka pasur të mbjella me patate 1.468 hektarë tokë.

Sipas saj, për një hektar tokë të mbjella me patate janë nxjerrë prej 30 deri në 35 tonë. Duke u bazuar në të dhënat që ka dhënë ajo, sivjet nga arat e komunës së Vushtrrisë janë nxjerrë rreth 50 mijë tonë patate.

“Patatja është kulturë në listën e subvencionimit të MBPZHR-së dhe për 1 hektar fermeri ka marrë subvencion 300 euro. Në komunën e Vushtrrisë sipërfaqe të mbjella dhe të subvencionuara me patate janë 1467.23 hektarë. Komuna e Vushtrrisë posedon tokë bujqësore të pëlleshme, gjë që mundëson kultivimin e suksesshëm të patates.

Prodhimi i patates në Vushtrri është traditë, ndërsa patatet e Vushtrrisë për nga cilësia kanë qenë kaherë të njohura jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë. Komuna e Vushtrrisë ka një numër relativisht të madh të fermerëve që merren me kultivimin e saj dhe përpos që prodhojnë për tregun e brendshëm prodhojnë edhe për tregun e jashtëm, gjegjësisht për eksport.

Fermerët vushtrrias kanë përvojë të shkëlqyer në prodhimin e patates, gjë që arrijnë rendimente të kënaqshme. Po ashtu për nga cilësia patatja e Vushtrrisë është ndër më të kërkuarat në tregun vendor dhe të jashtëm”, ka thënë drejtoresha Haxhaj, e cila ka përsëritur se këtë vit fermerët e Vushtrrisë kanë mbjellë me patate 1.468 hektarë tokë bujqësore./Zëri/