‘Fajdexhinjtë’ legalë

Norma mesatare e interesit për kredi në Institucionet Mikrofinanciare në Kosovë gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2016 ka zbritur në nivelin më të ulët në tre vitet e fundit, përkatësisht në 21,9 për qind. Gjatë kësaj periudhe kohore norma mesatare e interesit në kreditë ndaj ekonomive familjare zbriti në 23,4 për qind.

Lajme

06/01/2017 09:19

Institucionet Mikrofinanciare në Kosovë edhe më tutje po aplikojnë kamata të larta si fajde. Norma mesatare e interesit për kredi në Institucionet Mikrofinanciare në Kosovë gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2016 ka zbritur në nivelin më të ulët në tri vjetët e fundit, përkatësisht në 21,9 për qind. Gjatë kësaj periudhe kohore norma mesatare e interesit në kreditë ndaj ekonomive familjare zbriti në 23,4 për qind.

“Me rënie të normës mesatare të interesit në kredi u karakterizua si sektori i ekonomive familjare, ashtu edhe ai i ndërmarrjeve. Norma mesatare e interesit në kreditë ndaj ekonomive familjare zbriti në 23,4 për qind në qershor 2016, nga 24,6 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kurse, mesatarja e interesit në kreditë ndaj ndërmarrjeve në qershor 2016 zbriti në 19,3 për qind nga 23,5 për qind në qershor”, thuhet në raportin e stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Aty më tutje thuhet se norma mesatare e interesit në kreditë ndaj sektorit të bujqësisë regjistroi nivel të ngjashëm me periudhën e njëjtë të vitit paraprak duke qëndruar në 25 për qind, që njëherësh paraqet normën më të lartë të interesit për ndërmarrje./Zëri