Edhe veriu po voton, pjesëmarrje e ulët, proces i qetë

Procesi i votimit i cili ka nisur edhe në veriun e Mitrovicës, që është duke u zhvilluar normalisht në të gjitha qendrat e votimit që janë hapur atje, edhe pse pjesëmarrja e qytetarëve deri në këto momente është e vogël.

Lajme

08/06/2014 12:30

E në anën tjetër vërehet prani e shtuar e strukturave të sigurisë përreth qendrave të votimit. 

Rreth 100 komisionarë dhe vëzhgues shqiptarë të cilët kanë qenë të paraparë të shkojnë në këto qendra me përcjellje të policisë, kanë shkuar atje me vetiniciativë dhe me automjetet e tyre disa edhe këmbë. 

Në këto zgjedhje po votohet në shtatë qendra me gjithsejtë 33 vendvotime, ndërsa të drejtën e votës e kanë gjithsej rreth 29 mijë votues. 

Shefi i shtabit zgjedhor të PDK-së në veri të Mitrovicës, Florent Azemi, e ka përshkruar situatën e qetë në veri, duke thënë se komisionarët shqiptarë po përgatiten për të shkuar nëpër qendrat e votimeve pa përcjellje. 

“Po përgatiten komisionarët për të shkuar në vendvotimet e tyre në veri, gjithçka është në rregull, nuk ka indikacione të tensioneve apo diçka tjetër, dhe shpresojmë se ka me shku gjithçka në rregull. Tani këta do të shkojnë si të gjithë që shkojnë, pa ndonjë përcjellje”, ka thënë Azemi. 

Ndërkaq, edhe Millosh Kostiq, kryesues i Këshillit në qendrën e votimit në shkollën e mesme të mjekësisë në veri të Mitrovicës, e ka përshkruar gjendjen e qetë. 

Sipas tij, të gjitha qendrat në veri, duke përfshirë edhe shkollën e mesme të mjekësisë janë hapur me kohë, ndërsa varet nga vetë qytetarët nëse do të dalin në numër sa më të madh për të votuar. 

Ai vonesën prej 15 minutave të hapjes së kësaj qendre e ka arsyetuar si një gabim të drejtorit të kësaj shkolle. 

“Ne qendrën e votimit e kemi hapur në 7:00 të mëngjesit. Me siguri ka ardhur deri te ndonjë gabim me drejtorin e shkollës, ndodhë se derën e jashtme nuk e ka hapur me kohë dhe kjo është e tëra”, ka thënë Kostiq. 

Në anën tjetër, Emir Azemi, zëvendës kryesues i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, bëri të ditur po ashtu se procesi deri tani ka shkuar siç duhet dhe pa probleme. 

Ai tha se komisionarët dhe vëzhguesit shqiptarë kanë shkuar pa përcjellje të policisë nëpër qendrat e ndryshme të votimit, dhe nuk është shënuar ndonjë incident. 

“Që të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit kanë qenë të gatshëm që nga ora 6:30 të mëngjesit, kemi pritur përcjelljen e policisë, duke parë se nuk ka pasur përcjellje, atëherë i kemi këshilluar që të shkojnë në mënyrë vetanake me automjete, por disa edhe këmbë në qendrat të cilat janë hapur në veri, në mënyrë që të jenë prezent në çdo vendvotim si komunitet shqiptar në këto qendra”, ka thënë Azemi. (Kosovapress)