Dyshime për naftë jo cilësore

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë(MTI), është duke vazhduar kontrollin për cilësinë e naftës. Deri më tani nga kontrollet e ushtruara janë marrë gjithsej 22 mostra në pikat shitëse me pakicë.

Lajme

06/12/2014 16:45

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë(MTI), po vazhdon me kontrollet në zbatim të ligjit për respektimin e standardeve në fushën e importit dhe tregtimit të karburanteve, dizel dhe benzinë.

Sipas një njoftimi për media të MTI-së, thuhet se të shtunën, në bashkëpunim me trupat inspektuese të cilësisë dhe sasisë së karburanteve të lëngëta të naftës, kanë ndërmarr aktivitete shtesë në kontrollin e cilësisë së karburanteve që tregtohen brenda territorit të Republikës së Kosovës.

“Nga kontrollet e ushtruara janë marrë gjithsej 22 mostra në pikat shitëse me pakicë. Aksioni është ndërmarrë edhe në bashkëpunim me shoqatën e naftëtarëve të cilët kanë rekomanduar marrjen e disa mostrave në disa pika të dyshimta për ta”, thuhet në njoftim.

Ministria njofton se në ditët në vazhdim, laboratorët vendor dhe evropian do të nxjerrin analizat nga mostrat e pranuara, të cilat do të prezantohen në konferencën për media nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Ky veprim shtesë, pa paralajmërim, po ndërmerret për të qartësuar dyshimet e ngritura rreth cilësisë së karburanteve që tregtohen brenda vendit.