Dushi: Trajtimi i dhunës kundër gruas, nënkupton investim në të ardhmen e përgjithshme të qytetarëve tonë

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, sot ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Koordinues Ndërministror për të drejtat e Njeriut në të cilin takim ishte i pranishëm Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Lajme

20/02/2017 14:24

Zëvendësministri Dushi gjatë fjalës së tij e ka përshëndetur këtë iniciativë duke e vlerësuar si tejet të rëndësishme me qëllim të fuqizimit dhe funksionalizimit të të gjitha strukturave dhe mekanizmave institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të Drejtave të Njeriut, me theks të veçantë të drejtat e grave.

Në shoqërinë tonë, tha Zëvendësministri Dushi mbetet tejet shqetësues fakti se ne edhe sot dëgjojmë të ketë akoma raste të përdorimit të dhunës ndaj grave, si një nga fenomenet më të shëmtuara e paralizuese e që mban vulën e zezë për çdo shoqëri. Marrë parasysh rolin të cilin e ka një grua në shoqëri, nuk duhet kurrë të rreshtim së dënuari këtë fenomen shqetësues, sepse trajtimi i dhunës kundër grave njëkohësisht nënkupton investim në të ardhmen e përgjithshme të të gjithë qytetarëve tonë, gjë për të cilën institucionet e vendit kanë krijuar bazë të mjaftueshme ligjore por edhe mekanizma të mjaftueshëm institucional të cilat i janë dedikuar mbrojtjes së të drejtave të njeriut, me theks të veçantë mbrojtjes së grave nga dhuna e drejtuar ndaj tyre, shtoi Zëvendësministri Dushi.

Ministria e Drejtësisë, njoftoi Zëvendësministri Dushi, ka hartuar draft “Strategjinë  Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje 2016 – 2020” e cila ndër të tjera trajton dhe fenomenin e dhunës në familje, fokusohet në harmonizimin e legjislacionit vendor me atë ndërkombëtar, aktiviteteve informuese që synojnë parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave  si dhe trajtimin, rehabilitimin dhe ri-integrimin e viktimave nga dhuna në familje dhe ndëshkimin e kryesve.

Në fund të fjalës së tij, Zëvendësministri Dushi ka përshëndetur gatishmërinë e anëtarëve të grupit punues në përcaktimin e detyrave dhe planit të punës poashtu shprehu përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për të luftuar këto raste dhe për të arritur nivele të barabarta me shoqëritë moderne dhe demokratike në botë. /Lajmi.net/