“Droga për dhunime seksuale” – kërcënim për të rinjtë e Kosovës

Shitja dhe përdorimi i drogave sintetike, sfidë e madhe për institucionet.

Lajme

02/10/2014 09:06

Stimulimi i dëshirës seksuale, si dhe dobësimi në masë të madhe i memories janë efektet kryesore të GHB-së, substancës që i është dhënë epiteti i “drogës për dhunime seksuale”, shkruan sot Koha Ditore.

Safet Blakaj, drejtor i qendrës “Labirint”, ka bërë të ditur se përdorimi i GHB-së në Prishtinë ka nisur rreth dy vite më parë.

Megjithatë kohëve të fundit thotë të jetë përhapur dukshëm te të rinjtë në nivel vendi.

Një drogë e tillë tregon se kryesisht po përdoret në formë të lëngshme, duke u konsumuar si pika.

“Ka rreth dy vite e gjysmë kur është paraqitur fillimisht kjo drogë në Prishtinë dhe me të kanë abuzuar një rreth më i ngushtë i njerëzve të moshave më madhore. Më pas ka filluar të përdoret në baza ditore dhe kohëve të fundit është përhapur dhe ka filluar të bartet edhe tek moshat e reja, siç janë tinejxherët”, tregon ai.

Blakaj bën të ditur se disa dekada më herët një substancë e tillë është përdorur nga “bodybuilder-at”, individët e pasionuar për ndërtimin e trupit muskulor. Kurse sot formula e saj thotë të ketë pësuar disa ndryshime të vogla e që aktualisht është top-trend nëpër shumë shtete duke përfshirë edhe Kosovën.