Drejtori i Infektivës: Në Kosovë nuk ka të vdekur nga virusi i Nilit

Drejtori i Klinikës së Infektivës në QKUK, Hamdi Ramadani, ka thënë se nuk ka asnjë person të vdekur nga virusi i Nilit Perëndimor.

Lajme

15/08/2018 23:40

“Nuk ka vdekur asnjë person nga ky virus por kemi vetëm një pacient të prekur”, tha Ramadani në një prononcim për KALLXO.com.

Ndërsa, dje, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka njoftuar se është vërejtur prania e virusit të Nilit Perëndimor te tre persona në Kosovë dhe se njëri nga ta që ishte shtrirë në Klinikën Infektive ka vdekur.

Lidhur me çështjen e virusit, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë sot se nga Komuna e Prishtinës ka pranuar kërkesë për dezinsektimin e qytetit për të eliminuar mushkonjat, të cilat janë bartëset kryesore të virusit të Nilit Perëndimor.

Ministri, po ashtu, ka kërkuar nga të gjitha institucionet ta kryejnë në mënyrë serioze punën e tyre.

Simptomat e virusit të Nilit Perëndimor janë temperaturë, marramendje, vjellje, dhembje e trupit si dhe ënjtje të gjëndrave limfatike dhe përhapet nga pickimi i mushkonjave të infektuara.

Nga ky virus deri më tani në Europë kanë vdekur 17 persona, prej të cilëve nëntë në Serbi e tre në Greqi.