Donacion Amerikan për Shërim

Amerika nuk i bleu veturë Drejtorit të QKUK’së, por investoi mbi një milion euro për ta shëruar shëndetësinë. Ambasadorja Tracey Ann Jacobson uroi që pacientët në Kosovë të kenë kushte më të mira qëndrimi nëpër spitale.

Lajme

24/12/2013 12:57

Nuk i ka blerë veturë të re Drejtorit të QKUK’së, por ka investuar para me shtatë shifra për t’ua bërë të mundur pacientëve një qëndrim më komod në shtretërit e tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përuruar sot fazën e dytë të projektit për përmirësimin e kushteve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të cilat kapën vlerën prej 1.15 milionë dollarë amerikanë.

Ceremonia e këtij donacioni të madh dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm për QKUK’në është mbajtur vetëm pak ditë pasi u bë e njohur për opinion blerja e një veture luksoze prej 60 mijë euro për Drejtorin e kësaj qendre Nijazi Gashi.

Në ceremoninë e përurimit të këtij donacioni, Ambasadorja Tracey Ann Jacobson ka thënë se ky investim tregon përkushtimin e vazhdueshëm të SHBA’ve, jo vetëm për mbarëvajtjen e çështjeve të sigurisë dhe bashkëpunimin që e kanë me FSK’në por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me mirëqenien e gjithë kosovarëve, raporton Kosovapress.

“Mirëpres bashkëpunimin e mirëfilltë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe po ashtu edhe me të gjitha institucionet e tjera dhe shpresojmë që t’i shërojmë pacientet në kushte edhe më të mira”, ka thënë Jacobson.

Ministri Ferid Agani, ka thënë se e vlerëson lartë kontributin e popullit amerikan për krijimin e kushteve më të mira për punë, për punëtorë shëndetësor dhe për shërim të pacientëve. Ai ka shtuar se ky investim ka një vlerë të veçantë.

“Është bërë edhe një mënyrë tradicionale që së bashku me ambasadoren e SHBA-ve t’i inaugurojmë këto reparte të mrekullueshme në QKUK’së”.

“Sivjet e kemi përfunduar edhe punën në fazën e tretë të investimeve në QKUK. Është kompletuar edhe reparti i fundit në Klinikën Infektive ndërsa po ashtu edhe në dy kate të Klinikës së Kirurgjisë, që në këtë fazë ka qenë 1.1 milion dollarë, për ta rrumbullakuar deri më tani gjithë këtë donacion me vlerë prej 2.5 milion euro që de fakto paraqet edhe gjysmën e investimeve kapitale në QKUK-së”, ka thënë Agani.

Njazi Gashi, drejtor ekzekutiv i QKUK’sëka bërë të ditur se është rinovuar kati i tretë i Klinikës Kirurgjike dhe kati i dytë në Klinikën Infektive në plotni me të gjithë infrastrukturën e rrymës, të ngrohjes, të kabllove për internet edhe të alarmeve kundër tymit. Ai ka thënë se gjithçka është rinovuar me një saktësi falë mbështetjes së Ambasadës Amerikane në Kosovë.