DnV: Zgjedhjet e 8 qershorit edhe më të mira se lokalet 2013 (Video)

Edhe pse vëzhguesit nga terreni të rrjetit të OJQ-ve, Demokracia në Veprim, kanë sjellë parregullsi nga vendet e ngjarjes lidhur me procesin zgjedhor të 8 qershorit, kjo organizatë i vlerëson ato si më të standardizuara se sa zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Lajme

10/06/2014 13:43

Së paku në 10.5% të listës së votimeve, qytetarët nuk e kanë gjetur emrin në listën e tyre duke u detyruar të votojnë me kusht. Ndërsa, votat e pavlefshme kanë një rritje në krahasim me zgjedhjet e vitit 2010 me mbi 5%.

Kështu ka njoftuar të martën në një konferencë për media drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, edhe pse ka thënë se zgjedhjet e sivjetme kanë plotësuar standardin e lirë, të drejtë e gjithëpërfshirës.

Kryeziu thotë se ky standard ka avancuar në krahasim me vitin 2013 ndërsa vlerëson pjesëmarrjen e serbëve në procesin zgjedhor parlamentar.

Fletëvotimet, spreji, listat e votuesve, janë disa nga problemet me të cilat ka njoftuar Kryeziu t’i kenë gjetur vëzhguesit e kësaj organizate.

“Numri i ulët i fletëvotimeve i sjellë nga KQZ ka krijuar një konfuzitet dhe, partitë politike nuk kanë qenë të informuar me këtë vendim. Edhe me deklaratat e tyre në ditën e zgjedhjeve kanë krijuar konfuzitet tek publiku”.

“Materiale sensitive së paku në pesë raste nuk kanë qenë të kualitetit të mjaftueshëm sidomos spreji me të cilin janë spërkatur vëzhguesit”.

Sipas Kryeziut, ka pasur edhe paqartësi me dokumente, sidomos me dokumentet e shtetit serb në Shtërpcë. Po ashtu vërejtje ka pasur edhe për menaxhimin e qendrave të votimit, materialin propagandues që së paku në 36 qendra të Kosovës ka qenë më i afër se 100 metra.

“Ka pasur edhe diku 326 raste ku votuesit të cilët kanë ardhur për të votuar kanë mbajtur shenja të subjekteve politike gjatë procesit të votimit”.

“Së paku në 10.5% të listës së votimeve, qytetarët nuk e kanë gjetur emrin në listën e tyre dhe janë detyruar të votojnë me kusht. Tek votat e pavlefshme është një rritje në krahasim me vitin 2010, do të thotë mbi 5% të votave të pavlefshme kanë ndodhur”, tha ai.

Drejtori i shoqatës Handikos, Afrim Maliqi, ka shpalosur mos-ofrimin e kushteve të mira nga përgatitjet e vendvotime për personat me aftësi të kufizuar. Maliqi thotë se kanë qenë rrugë dhe trotuare të pafavorshme për persona me nevoja të veçanta për të arritur deri tek vendet e votimit.

Kjo, sipas tij ka bërë edhe që, 83% të vendvotimeve të mos ketë fare votues të tillë.

“261 vendvotime prej 467 kanë dalë pjesërisht të qasshme. Ndërsa 201 vendvotime kanë dalë jo të qasshme. Gjë që e bën edhe pjesëmarrjen në votime nga personat me aftësi të vogël”.

“Në 53% të vendvotimit kutitë e votimit janë vendosur në tavolina lartë, kështu që është pamundësuar që vetë personi ta vë fletëvotimin në kutinë e votave”, tha ai.

Në anën tjetër, Petrit Zogaj nga FOL, pas një analize disa ditore të medieve në vend mbi raportimin për zgjedhjet, ka thënë se gjithsej janë transmetuar rreth 450 minuta kronika zgjedhore në televizionet kosovare.

“Në dy javët e fundit nga dita e 28 majit, janë transmetuar diku rreth 450 minuta në kronikat zgjedhore në të gjitha televizionet e Kosovës. Në këto prinë RTK-ja me 180 minuta ose 43%, KTV me 24%, pastaj RTV21 me 20% dhe KlanKosova me 12%”.

“Sa i përket subjekteve politike, në këto kronika zgjedhore prinë PDK-ja me 21%, pastaj e dyta është LDK-ja me 18%, AAK-ja me 17%, VV është me 16%, AKR me 4% Nisma është me 10%”, tha Zogaj.