Detajet e arrestimit të Kastriot Gjuzit, Policia e Kosovës e zbuloi me dylbi

Express mëson detaje të reja lidhur me arrestimin e Kastriot Gjuzit, vrasësin e Mario Majollarit, pak ditë më parë në Tiranë.

Lajme

19/04/2018 11:57

Policia e Kosovës e ka vënë në pranga Gjuzin teksa ka tentuar që të futet në Kosovë, përmes pikës kufitare të Vërmicës.

Për të mos u arrestuar nga policia, Kastriot Gjuzi ka tentuar që të kalojë bë këmbë për në Kosovë, por është pikasur nga Policia e Kosovës.

Siç bëjnë me dije burimet, Policia e Kosovës, e stacionur për të monitoruar zonën kufitare, e ka zbuluar Gjuzin përmes dylbive.

Në momentin e ndalimit, ai ka nxjerrë kartën e tij të identitetit, duke bërë kështu që Policia e Kosovës të zbulonte se bëhej fjalë për vrasësin e Mario Majollarit.

Pasi është arrestuar, policia e Kosovës e ka dorëzuar atë tek autoritetet shqiptare.

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur me 12 Prill, policia nisi hetimet mbi motivet e vrasjes dhe si pistë e parë ishte ajo e gjakmarrjes për shkak të dy vrasjeve që i ati i Majollarit kishte kryer në vitin 2000.

Njëri nga viktimat e ngjarjes së vitit 2000 ka qenë edhe Ilir Gjuzi, vëllai i Kastriot Gjuzit, çka ka bërë që policia të shkojë në shtëpinë e tij, por nuk e ka gjetur në banesë, duke e bërë atë të dyshuarin kryesor për vrasjen e 28-vjeçarit.

Nga hetimet e policisë më pas, ka rezultuar se Kastriot Gjuzi i është vënë në ndjekje të riut dhe në një rrugicë të errët, pranë banesës ku jetonte bashkë me të motrën, e ka qëlluar për vdekje me tre plumba.