Deputetët kthejnë emrat e ZRrE-së në qeveri

Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik ia ka kthyer qeverisë emrat e propozuar për kryesues të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Kthimi propozim-vendimit të qeverisë është bërë me arsyetimin se në listë mungon kandidati më i votuar, Fadil Ismajli.

Lajme

09/10/2018 12:40

Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se Qeveria i kishte larguar në mënyrë të dyshimtë, Përparim Kabashin e Fadil Ismajlin nga gara për kryesues të bordit të ZRrE-së. Edhe pse në mbledhjen e Qeverisë ishin përmendur katër emra për t’iu dërguar Kuvendit për të zgjedhur Kryesuesin e Bordit të ZRRE-së, në vendimin e ekzekutivit të publikuar në ueb-faqe janë hequr nga lista dy persona në mënyrë të pashpjegueshme.

Kjo e gjetur e Gazetës JnK ishte arsyeja kryesore e kthimit të propozim-vendimit në qeveri.

Ishte propozim i deputetës, Mimoza Kusari Lila të kërkohet sqarime shtesë nga qeveria e Kosovës për mungesën e kandidatit më të votuar për kryesues të bordit.

“Të hiqet nga rendi i ditës sepse nuk janë plotësuar kushtet që të procedohet, sepse nuk ka informim për heqjen e anëtarit të kualifikuar për bordin e ZRrE. E kanë heq Fadil Ismajlin”, tha Kusari-Lila.

Shqetësimi i Kusari-Lilës është përkrahur edhe nga deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu.

“Ismajli ka qenë kandidati më i votuar. Përgjigja nga kryeministri mendoj që është edhe ofenduese. Përgjigjja është shpërfillëse ndaj kërkesave të deputetëve. Kryeministri thotë që është bërë në pajtim me ligjin. Deri në një përgjigje adekuate kjo pikë të mos trajtohet nga komisioni”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë se propozimi i qeverisë është në përputhje me kërkesat ligjore.

“Nëse thuhet në dispozitë që qeveria është e obliguar që të dergoj dy emra unë nuk mund të kuptoj pse përgjigjja e kryeministrit është ofenduese. Nëse është respektuar ligji nuk e di pse duhet ta shtyjmë këtë pikë”, tha ai.

Sala Berisha Shala ka thënë se mos-propozimi i Ismajlit është çështje minore krahasuar me plotësimin e kushtit tjetër ligjor që të propozohen dy emra.

Hykemet Bajrami, deputete e LDK-së, ka thënë se Haradinaj e ka shkelur memorandumin e Britanikët pasi nuk po e propozon kandidatin më të poentuar.

“Kryeministri para pak kohësh ka dal e ka nënshkru memorandumin me britanikët, e tash ka dal prej atij procesi. Ne duam me i pas 3 kandidatët. Nëse duhet me qenë veç dy atëherë vijnë ata me më shumë pikë. Nuk kemi asgjë me Fadil Ismajlin, por procesi duhet mu respektu.

Kërkesa e Kusari Lila kaloi. Komisioni do të kërkojë edhe një herë sqarim nga qeveria se pse është heq kandidati më i poentuar.