Demaçi: Është harruar Kosova, e po luftohet për karrige

Veprimtari i njohur, Adem Demaçi thotë se me luftën për pushtet është harruar interesi i përgjithshëm. Demaçi thotë se në krejt botën demokratike dihet se kujt i takon të bëjë qeverinë. 

Lajme

28/06/2014 21:40

Ai thotë se ata që po pretendojnë pushtetin, e kanë harruar interesin e shtetit.

“Me një fjalë, nuk po mendohet për shtet hiq”.

“Kështu që këta që po bëjnë turr me i nda resorët, po e shkelin rendin botërorë. Dihet në krejt botën se si shkon kjo punë”, ka thënë Demaçi duke komentuar ngërçin politik në vend pas krijimit të bllokut opozitar.

Demaçi në një bisedë për Indeksonline, vlerëson se, partia që i fiton zgjedhjet duhet ta formojë qeverinë. “Nëse nuk mundet, atëherë provon forca e dytë, e tretë, e nëse asnjëra nuk arrin, atëherë shkohet në zgjedhje. Unë mendoj se i takon Hashim Thaçit ta bëjë Qeverinë”.

Sa i përket dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatarit për formimin e Qeverisë, Demaçi vlerëson se Kushtetuesja duhet të jap përgjigje se si veprohet në botë.

Demaçi thotë se nuk është mirë të mbahen edhe një palë zgjedhje, por vendi duhet të dalë nga ky ngërç dhe të formohen institucionet e reja. “Edhe miqtë ndërkombëtarë nuk duan që të mbahen zgjedhje të tjera”. (Indeksonline)