Dega e I-rë e LDK-së në Prishtinë thotë se e di kush janë sulmuesit

Lidhur me sulmin dhe demolimin e selisë së degës së parë të LDK-së në Prishtinë në Kondrën e Trimave, ka reaguar kjo degë.

Lajme

28/02/2016 12:29

 

Në komunikatën për media, Dega e I-rë e LDK-së thotë se “besojmë se sulmuesit nuk është vështirë të gjenden,  , ata, besojmë thellë, se janë në mesin e atyre që për muaj të tërë po dëmtojnë, po shkatërrojnë dhe dhunojnë qytetin e Prishtinës, ata që po e dëshirojnë shkatërrimin dhe zhbërjen e shtetit”.

Kjo degë thotë se këto sulme nuk do të ndalin punën e tyre dhe kërkojnë nga organet e rendit që të identifikojnë sa më parë, raporton lajmi.net.

Komunikata e plotë:

Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së, mbrëmë në mënyrë të organizuar, në orët e vona të mbrëmjes, pothuajse në të njëjtën kohë, u sulmua dhe u demolua selia e Degës sonë, disa seli të degëve të LDK-së dhe selia Qendrore, nga banditë dhe rrugaçë, njerëz të kaosit, anarkisë dhe dhunës.

Dega e I-rë e LDK-së, Kodra e Trimave, në Prishtinë dënon ashpër këto sulme ndaj zyrës sonë dhe zyrave tjera.

Besojmë se sulmuesit nuk është vështirë të gjenden, ata, besojmë thellë, se janë në mesin e atyre që për muaj të tërë po dëmtojnë, po shkatërrojnë dhe dhunojnë qytetin e Prishtinës, ata që po e dëshirojnë shkatërrimin dhe zhbërjen e shtetit.

I falënderojmë qytetarët, anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së të Degës sonë për durimin e treguar edhe pse jemi të vetëdijshëm se çdo durim e ka një fund.

Këtyre paramilitarëve dhe urdhërdhënësve të tyre ua bëjmë të qartë se Dega jonë ka qenë, është dhe do të jetë një Degë e fuqishme e LDK-së dhe se nuk ka dhunë që mund të na ndal në kontributin dhe angazhimin tonë, në rrugëtimin tonë drejtë ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit, ndërtimit dhe zhvillimit të demokracisë.

E kemi të qartë se në shtetin tonë demokratik dhe të zhvilluar, nuk ka vend për maska dhe maskim të fytyrave. Është shumë e qartë se disave po ju pengon fakti se me vendin po qeverisë LDK-ja, ju pëlqeu ose jo, duhet të pajtohen me këtë fakt

Ju bëjmë me dije se askush dhe asnjëherë nuk do të mund të na ndalë në punën tonë, në ndërtimin dhe mbrojtjen e institucioneve tona shtetërore, në ndërtimin e një Kosove të prosperuar, demokratike, të orientuar vendosmërisht në integrimet euroatlantike dhe në miqësinë tonë të përhershme më SHBA-të.

Kjo është rruga jonë e vetme, rrugë e trasuar dhe e ndërtuar nga Lideri ynë shumëvjeçar, nga Presidenti ynë Historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Kërkojmë me ngulm nga organet kompetente që sa më parë t’i identifikojë dhe t’i vërë para përgjegjësisë këta shkatërrues të shtetit.

Dega e I-rë e LDK-së në Kodrën e Trimave në Prishtinë