Dardha të Forta për Lexhendarin

Vetëvendosje i çon Partisë së Fortë dy kilogramë dardha për 10 eurot që “të fortët” i dhanë donacion për VV’në. Fisnik Ismajli ironizon dhe falënderohet.

Lajme

30/09/2013 16:47

Po i bie që Partia e Fortë ka blerë 1 kilogram dardha për 5 euro.

Kjo për shkak se për 10 euro donacion që Partia e Fortë i ka bërë sot Vetëvendosjes, kjo nuk ia ka kthyer pjatën zbrazët.

Fisnik Ismajli nga Lëvizja Vetëvendosje i është përgjigjur ironisë së Partisë së Fortë me një ironi të veten. Ai i ka dhuruar “të fortëve” dy kilogramë dardha, siç është shprehur, të vjela në plantacionin e sheshit Nëna Terezë në Prishtinë.

Sido që të jetë, falënderimi i Vetëvendosjes nuk ka munguar.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! i falënderohet Partisë së Fortë për donacionin e sotshëm prej 10 eurosh, duke ia dhuruar 2 kg dardha (disa edhe kakiçka) si shenjë mirënjohjeje, të vjela nga aktivistët tonë në plantazhin e sheshit ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë, në të cilin Kryetari Lexhendar ka investuar aq shumë kohë, mund, mend dhe këpucë të grisura”.

“Po ashtu zotohemi se këto donacione do të shpenzohen edhe për mbrojtjen e votës suaj”, ka shkruar Ismajli në Facebook.