Çka po na ndodhë kështu?

Qytetari i rëndomtë i këtij vendi, nuk ia ka borxh askujt të zgjohet në mëngjes dhe të bie në gjumë, për çdo ditë të lume, me shqetësimin për fatin e vet, të familjes së tij, të gjithë shtetit të Kosovës.

Opinion

11/02/2016 11:56

Nëse doni ta digjni dhe ta shkatërroni shtetin e juaj, ne nuk mund të ju ndalim. Ne mund të ju flasim sinqerisht, të ju tregojmë se çka po bëni keq dhe mbrapsht, pse duhet të bisedoni si politikanë dhe të mirreni vesh për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Por asgjë më shumë nuk mund të bëjmë. Nuk i morët parasyshë as porositë e Sekretarit Kerry. Ju betoheni ditë dhe natë që e doni Amerikën dhe që kurrë nuk do të harroni çfarë kemi bërë për ju, e në anën tjetër silleni në këtë mënyrë, në dëm të vetëvetes, në dëm të shtetit të Kosovës, në dëm të Amerikës.

Kjo është porosia që në motërzime të ndryshme i është dhënë të gjithë politikanëve relevantë të Kosovës, jo vetëm ditëve të fundit, por me muaj të tërë. Mesazh ky i stërpërsëritur i diplomacisë amerikane, efektet e të të cilit i afrohen zeros. Që prej se ka nisë, aty në vitin 1989, ndërmarrja e çlirimit dhe e pavarësimit të Kosovës, e cila siç e dimë të gjithë kurrë nuk do të përmbyllej pa përkrahjen politike, diplomatike dhe ushtarake amerikane, nuk ka ndodhë që të mos kenë thuaja kurfarë efekti qëndrimet publike dhe ato konfidensiale të Washingtonit në Kosovë. Këto qëndrime më shumë bëjnë punë kudo në rajon, në Tiranë, Shkup, Beograd dhe Podgoricë, se sa këtu, në Prishtinë.

Ky është realiteti. Natyrisht, pos përjashtimeve të rralla  (të ditura për kosovarët), të gjithë politikanët dhe partitë në Kosovë janë në garë se kush është më pro-amerikan dhe pro-perëndimor se tjetri. Se kush është më i gatshëm t’i sendërtojë vlerat politike dhe ekonomike të SHBA-së dhe të BE-së në Kosovë. Se kush e do, më në fund, më shumë Amerikën.

Diçka këtu nuk është në rregull. Kemi të bëjme me defekte të mëdha, të cilat nuk mund  të mos lënë gjurmë për raportet e Kosovës me SHBA-në.

Por nuk po duket që ndër ne, në politikën kosovare, ky fakt, i cili nuk mund të mohohet dot, përkundër aftësisë së veçantë që ka marrë hov ndër ne për manipulim të çdo lloji, në emër të kombit shqiptar dhe shtetit të Kosovës, po lë gjurmë në trajtë të shqetësimit dhe të mërzisë. Supozimi a përllogaritja është që pa marrë parasyshë çka ka ndodhë deri tash në Kosovë, në gjashtë muajtë e fundit, apo, çka do të ngjajë tash e tutje, në fund, SHBA-në do ta kemi pranë dhe do të jetë me ne, apo që të gjitha këto do të harrohen.

Sa larg realitetit politik dhe diplomatik jemi, aktualisht. Ta merr mendja që nuk kemi mësuar gjë tash e gati tridhjetë vjet prej se u nisëm në rrugëtimin e përcaktimit të fatit tonë si popull, si vend. Të duket që prej rrjedhave politike në Kosovë, varet stabiliteti i gjithë Evropës, në mos edhe më gjërë. Ndërsa shqetësimi kryesor i Brukselit, karshi gjithë rrëmujës së vazhdueshme politike në Kosovë është a do të ketë pasoja, prej të gjithave, në trajtë të një vale të migrimit masiv ilegal të shqiptarëve në drejtim të Evropës, çfarë ishte ajo e dimrit të vitit të shkuar. Kaq. Si mund të pretendojmë të  marrim çka na takon (gjithsesi), në relacionet e Kosovës me Bashkimin Evropian, nëse këtë që tashmë e kemi marrë, që e kemi në dorë, pra, shtetin e Kosovës, e tundojmë, e mundojmë dhe e dërrmojmë kaq shumë?

Qytetari i Kosovës, ai anonimi, meritat e të cilit për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës janë të jashtëzakonshme dhe kurrë të njohura dhe të respektuara sa duhet, nuk ia ka borxh askujt gjendjen në të cilën ka rënë sot Kosova si shtet.

Ky qytetar nuk ia ka borxh askujt që të zgjohet në mëngjes dhe të bie në gjumë, për çdo ditë të lume, me shqetësimin që ka nisë të merr edhe trajtën e frikës, për fatin e vet, të familjes së tij, të gjithë shtetit të Kosovës.

Është kjo një përshtypje shumë e keqe, më e keqja e mundshme, e një qytetari të rëndomtë, pak ditë para se do të duhej të festonim ditëlindjen e tetë të shtetit të Kosovës.

Zatën, 17 shkurti është dita e shtetit të Kosovës dhe e qytetarëve të saj. Dhe e askujt tjetër. Këtë do të duhej ta dinim të gjithë ne. (Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)