Çka mund të mësojnë Kryetarët e Rinj?

Njëjtë si kryetarët e sapozgjedhur edhe kryetarët në mandatin e kaluar kishin bërë premtime për afërsi me qytetarë, llogari për punën e tyre dhe transparencë komunale, mirëpo shumë pak janë realizuar në praktikë.

Opinion

18/01/2014 19:51

Viti 2013 shënoi përmbylljen e mandatit të katërt të qeverisë lokale në demokracinë e re të Kosovës.

Gjatë kësaj kohe, qeveria lokale ka kaluar nëpër reforma të ndryshme dhe ka avancuar dukshëm, qoftë në kompetenca, qoftë në sistem zgjedhor, ndërsa mjetet buxhetore vetanake dhe grante qeveritare janë rritur gradualisht. Madje, edhe aktet ligjore që sigurojnë transparencë, llogari dhe përfshirje në nivel lokal, kanë evoluar në drejtim të mirë.

Përkundër këtyre arritjeve, shumë udhëheqës të qeverisjes lokale mandatin e kaluar u treguan të mbyllur ndaj qytetarëve të tyre në udhëheqje (lënë anash dy muajt e fundit të vitit të kaluar, që ishin fushatë zgjedhore, ku kishte një qasje tjetër).

Në shumë komuna, kjo lloj udhëheqje çoi edhe deri tek ndëshkimi i tyre nga qytetarët me votë, në mënyrë paqësore.

Më shumë se gjysma e kryetarëve që garuan për të rimarrë udhëheqien e komunës, gjegjësisht 18 prej tyre, nuk arritën ta marrin prap besimin e votuesve në vitin 2013. Nga shtatë komunat më të mëdha, përpos në Prizren, në të gjitha të tjera votuesit ndëshkuan Kryetarin e tyre. Në komunën e Prishtinës dhe Gjakovës, Isa Mustafa dhe Pal Lekaj, respektivisht, shkuan nga fitorja e zgjedhjeve pa balotazh në vitin 2009 në humbje të postit brenda katër vjetëve.

Mund të ketë shumë arsye për këto ndryshime, mirëpo niveli i ulët i transparencës së komunave dhe llogaridhënia e dobët ndaj qytetarëve, që në fund vendosin për postin e Kryetarit dhe anëtarëve të Kuvendit Komunal të tyre, në shumë nga qeveritë lokale janë dy tregues të mirë të këtyre ndryshimeve.

Të gjeturat e monitorimit të 18 komunave që dolën nga një studim që këto ditë kemi publikuar në KDI, së bashku me organizata nga lokalitete të këtyre qeverive lokale, tregojnë që niveli i transparencës në komuna mbetet i dobët, ku dokumente bazike, si rregulloret komunale, procesverbalet e Kuvendit, planet urbanistike, buxheti i komunës, raportet e shpenzimeve, nuk publikohen në faqen zyrtare të komunës, ndërsa kërkesat për qasje në dokumente zyrtare shpesh shkojnë pa u përgjigjur apo kthehen me shumë vonesë, gjë që përbën edhe të shkelje ligjore.

Vetëm 3 komuna nga 37 sa ka Kosovë (pa numëruar tashmë komunën e re të Mitrovicës së Veriut) kanë të publikuar në ueb-faqe zyrtare buxhetin e komunës për 2014.

Ndërsa kemi një popullatë ku shumica janë nën moshën 35 vjeçare dhe mbi 70% të shtëpive kosovare kanë qasje në internet sipas një studimi të publikuar vitin e kaluar.

Pas katër mandatave të nivelit komunal është e papranueshme të mos kemi së paku ueb-faqe zyrtare të përditësuara me njoftime për projektet dhe planet e komunave dhe buxhetin dhe shpenzimet. Por pse mos të shkojmë edhe më tutje e të bëjmë këto ueb-faqe mjete për komunikim me qytetarin e që tash më shumë se kurrë e kanë thjeshtësuar rrjetet sociale?

Konsultimi me qytetarë të komunës në përgjithësi, nga ekzekutivi dhe legjislativi komunal, mbetet në nivel të ulët.

Kjo gjendje është vërejtur të ketë krijuar qytetar të pakënaqur për shkak të mungesës së informimit për vendimet e komunës dhe projektet kapitale.

E pamë si në komunën e Gjakovës u revoltuan qytetarë dhe profesionistë si arkitektë e zejtarë kur filloi renovimi i Çarshisë së Madhe, pa u njoftuar fare publiku për projektin dhe pa u konsultuar mirë profesionistët për ruajten e trashëgimisë kulturore. Kjo pakënaqësi dhe ky injorim i qytetarëve çoi deri tek ndërprerja e punës, ndryshimi i projektit dhe sigurisht që ka ndikuar edhe me ndëshkim në vota.

Këshillat lokale, një mekanizim i mirë për konsultim me qytetarë, edhe pse të rregulluar me udhëzim administrativ, mbeten jo të funksionalizuar mirë, madje në shumë komuna kanë qenë të politizuar nga Kryetarët e Komunave. Këto këshilla, që mund të jenë shumë të rëndësishme për konsultim qytetar, nuk kanë qenë të fuqizuar dhe në shumicën e rasteve janë anashkaluar nga Kryetari si dhe anëtarët e Kuvendit komunal.

Mandati i ri është një mundësi e re për të lënë gjurmë të mira në qeverisje të mirë, sidomos nëse udhëheqja e qeverisë komunale merret për herë të parë. Andaj, kryetarët, kryesuesit dhe anëtarët e kuvendit duhet të fillojnë punën me përgjegjësi dhe të mos përsërisin të metat e qeverisje lokale që janë paraqitur në këtë raport dhe të vazhdojnë dhe avancojnë të arriturat që ka bërë qeverisja lokale në Kosovë dhe komunën e tyre.

Qeveritë lokale të reja, por edhe ato që kanë rimarrë besimin, duhet të jenë më aktive në marrjen e nismave ligjore, që rezultojnë nga konsultimet me qytetarë dhe përfaqësues të këshillave lokal, si dhe takime të rregullta me lagje dhe fshatra nga gjitha anët e komunës për çështje që i prekin më direkt këto komunitete.

Njëjtë si kryetarët e sapozgjedhur, edhe kryetarët në mandatin e kaluar, kishin bërë premtime për afërsi me qytetarë, llogari për punën e tyre dhe transparencë komunale, mirëpo shumë pak janë realizuar në praktikë.

Andaj, pyetja që të gjithë kryetarët e rinj por edhe anëtarët e kuvendeve komunale duhet t’ia bëjnë vetes në këtë fillimi të mandatit është: “A do të mbetën premtimet e tyre premtime zgjedhore që harrohen pasi të jenë zgjedhur, apo do të përpiqen t’i bëjnë realitet?”

Praktika tregon se një vend i emancipuar dhe i vetëdijetësuar me procesin demokratik duhet të vëjë në praktikë qeverisjen e mirë, edhe nëse merr më shumë kohë, dhe jo vetëm të flitet për të.

 

(Në linkun më poshtë mund të gjeni raportin e plotë të monitorimit të 18 komunave që ka bërë autori me KDI’në, të quajtur “Komunë e Hapur dhe Përfshirëse: Realitet apo Premtim Zgjedhor.”)

http://www.kdi-kosova.org/publications/Vleresimi_Vjetor_Komunave_2013_KDI.pdf