Çfarë drejtimi ka marrë ekonomia e Kosovës në këtë vit?

Banka Qendre e Kosovës e ka publikuar raportin “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike”, në të cilin e ka pasqyruar rrjedhjen e sektorëve ekonomikë në Kosovë.

Lajme

25/08/2018 16:41

BQK, duke ju referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), BPV-ja reale në TM1 2018 shënoi rritje vjetore prej 3.5 përqind.

Sipas BQK, kontributi kryesor në këtë rritje ka ardhur nga investimet me 2.5 pikë përqindje, ndërsa konsumi ka kontribuar me 2.1 pikë përqindje.

Në anë tjetër, eksportet neto, si rezultat i rritjes së theksuar të importit, kanë ndikuar negativisht në rritjen e BPV-së me 1.1 pikë përqindje, shkruan lajmi.net.

Po, sipas BQK-së, kontributi pozitiv i investimeve totale i atribuohet kryesisht investimeve publike, pasi që shpenzimet kapitale të qeverisë shënuan rritje prej 44.0 përqind në TM1 2018.

Konsumi privat ka kontribuuar me 1.3 pikë përqindje (2.8 pikë përqindje në TM1 2017). Ky kontribut pozitiv mbështetet nga zhvillimet pozitive që janë regjistruar në burimet kryesore të financimit të konsumit privat.

Kredia e re për konsum, kompensimi i punëtorëve dhe remitencat kanë përshpejtuar trendin e rritjes, duke shënuar rritje vjetore prej 52.0, 16.0 përkatësisht 4.2 përqind në TM1 2018.

Ndërkohë vlera më e ulët e kontributit të konsumit privat në TM1 2018 krahasuar me TM1 2017 i atribuohet kryesisht rritjes më të ngadaltë të importit të mallrave të konsumit i cili shënoi rritje prej 1.7 përqind (5.7 përqind në TM1 2017). Përveç konsumit privat edhe konsumi publik, si rezultat i rritjes së shpenzimeve rrjedhëse prej 8.6 përqind, kontribuoi pozitivisht në rritjen e BPV-së reale (0.8 pikë përqindje)

Sipas metodës së prodhimit, kontributin më të madh në rritjen e BPV-së reale në TM1 2018 e kishte tregtia dhe ndërtimtaria (0.6 pikë përqindje secila), aktivitetet financiare dhe industria përpunuese (0.4 pikë përqindje secila), etj. Ndërsa, industria nxjerrëse pati kontribut negativ (0.4 pikë përqindje) në rritjen e BPV-së reale.

Për sa i përket ecurisë së konsumit, burimet kryesore të financimit japin sinjale pozitive. Kredia e re për konsum dhe shpenzimet rrjedhëse janë rritur për 16.8 përqind përkatësisht për 7.2 përqind në TM2 2018. Gjithashtu, remitencat dhe kompensimi i punëtorëve janë rritur për 9.5 përqind përkatësisht 10.4 përqind në muajt prill-maj 2018. Sinjal tjetër i rritjes së konsumit është rritja e importit të mallrave të konsumit prej 5.8 përqind në TM2 2018. Edhe treguesit e tërthortë për investimet private ofrojnë sinjale pozitive në TM2 2018. Kreditë e reja për investime si dhe importi i mallrave kapitale kanë shënuar rritje prej 28.7 përqind përkatësisht 24.8 përqind. Gjithashtu, numri i bizneseve të reja, korrigjuar me numrin e bizneseve të mbyllura, ka regjistruar rritje prej 24.4 përqind në TM2 2018. Në anën tjetër, eksportet neto janë përkeqësuar në TM2 2018, duke zgjeruar bilancin e tyre negativ me rreth 12.2% përqind.

Çmimet

Indeksi i çmimeve të konsumit, i cili gjatë TM1 2018 mbeti i pandryshuar, në TM2 2018 ka filluar të shënoi rritje. Norma mesatare inflacionit në TM2 2018 ishte 0.8 përqind.

Sa i përket komponentëve të IÇK-së, gjatë TM2 2018, me rritje u karakterizuan çmimet e transportit (3.3 përqind), pasuar nga çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit (2.4 përqind), çmimet e restoranteve dhe hoteleve (1.4 përqind), çmimet e ushqimit dhe pijeve jo-alkoolike (0.5 përqind), etj. Në anën tjetër, rënie e çmimeve është shënuar tek çmimet rekreacionit dhe kulturës (1.5 përqind), çmimet e mjeteve të komunikimit (1.2 përqind), çmimet e veshmbathjes (0.6 përqind), çmimet e rrymës, gazit dhe lëndëve tjera djegëse (0.6 përqind), etj.

Meqenëse shporta e konsumatorit kosovarë karakterizohet me pjesëmarrje shumë të lartë të produkteve me lëvizje sezonale të çmimeve (ushqimi, energjia, pijet alkoolike dhe duhani), atëherë edhe inflacioni bazë, i cili përjashton këto komponente, është më stabil (figura 9). Një gjë e tillë është vërejtur edhe në TM2 2018 ku inflacioni bazë prej 0.5 përqind ishte për 0.3 pikë përqindje më i ulët se sa inflacioni i përgjithshëm.

Si pasojë e varësisë së lartë të ekonomisë së Kosovës nga importi, dinamika e lëvizjes së çmimeve në Kosovë ndikohet në masë të madhe edhe nga lëvizja e çmimeve të importit. Indeksi i çmimeve të importit në TM1 2018 shënoi rritje prej 1.4 përqind (figura 10). Çmimet e metaleve bazë, tekstilit dhe produkteve bimore, të cilat janë kategoritë kryesore të indeksit të çmimeve të importit, shënuan rritjen më të lartë (12.3 përqind, 6.1 përqind, përkatësisht 4.8 përqind), ndërsa çmimet e lëkurës si dhe çmimet e letrës dhe artikujt e saj shënuan rënien më të lartë (10.5 përqind përkatësisht 6.2 përqind)

Regjistri i Bizneseve

Tregues i rëndësishëm i zhvillimeve në sektorin real është edhe numri i bizneseve të reja të regjistruara. Për dallim nga viti 2017 dhe TM1 2018 që ishin karakterizuar me numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara, në TM2 2018 është shënuar trend rritës.

Janë regjistruar rreth 2,636 ndërmarrje vetëm në TM2 2018 apo 399 ndërmarrje më shumë krahasuar me TM2 2017. Përveç kësaj, në TM2 2018 janë mbyllur 407 ndërmarrje apo 38 ndërmarrje më pak krahasuar me TM2 2017 (figura 13). Aktiviteti ekonomik më i preferuar vazhdon të jenë sektori i tregtisë ku u regjistruan 723 ndërmarrje të reja apo 16.1 përqind më shumë krahasuar me TM2 2017, ndërsa është inkurajuese rritja e numrit të ndërmarrjeve tek sektori i bujqësisë dhe sektori i prodhimit. Në sektorin e bujqësisë u regjistruan 198 ndërmarrje të reja apo dyfish më shumë krahasuar me TM2 2017 ndërsa në sektorin e prodhimit u regjistruan 299 ndërmarrje të reja apo 27.8 përqind më shumë krahasuar me TM2 2017. Rritje e konsiderueshme e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara është shënuar edhe në sektorin e ndërtimtarisë me 260 ndërmarrje apo 28.7 përqind më shumë krahasuar me TM2 2017, etj.

Sektori Fiskal

Deri në qershor 2018, sektori fiskal u karakterizua me performancës të mirë të të hyrave buxhetore dhe rritje të shpenzimeve buxhetore. Rritja e shpenzimeve ishte më e lartë krahasuar me të hyrat dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës regjistroi deficit primar buxhetor i cili arriti në 27.1 milionë euro (2.8 milionë euro suficit në gjysmën e parë të vitit 2017).

Të hyrat buxhetore2 arritën vlerën prej 801.3 milionë euro apo 6.3 përqind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja e arkëtimit të të hyrave buxhetore erdhi si rezultat i rritjes së aktivitetit ekonomik por edhe reformave të ndërmarra nga agjencitë e të hyrave që kanë për synim ngushtimin e hendekut tatimor. Sa i përket llojit të tatimeve, vërehet rritje më e lartë e të hyrave tatimore direkte të cilat arkëtohen nga tatimet në të ardhura dhe pasuri. Këto të hyra shënuan rritje prej 20.8 përqind dhe arritën vlerën 143.8 milionë euro. Me rritje u karakterizuan edhe të hyrat tatimore indirekte të cilat janë të ndërlidhura me lëvizjen e importit i cili ka shënuar rritje të konsiderueshme. Të hyrat indirektet arritën vlerën prej 600.6 milionë euro (4.7 përqind rritje). Në anën tjetër, të hyrat jotatimore, që kryesisht janë të hyra nga organizatat buxhetore, shënuan rënie prej 5.4 përqind dhe arritën vlerën 86.0 milionë euro.

Ndërkaq, sa i përket shpenzimeve buxhetore, ato arritën vlerën prej 828.4 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 10.3 përqind. Gjatë kësaj periudhe të gjitha kategoritë e shpenzimeve buxhetore u karakterizuan me rritje. Rritja më e lartë është shënuar tek shpenzimet kapitale të cilat arritën vlerën prej 183.1 milionë euro apo 14.9 përqind më shumë krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2017. Përveç kësaj, është vërejtur edhe një nivel më i lartë i realizimit të shpenzimeve kapitale i cili ka arritur në 33.5 përqind (32.0 përqind në gjysmën e partë të vitit 2017). Shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime (përfshihen edhe komunalitë) shënuan rritje për 10.0 përqind dhe arritën vlerën prej 104.4 milionë euro. Subvencionet dhe transferet shënuan rritje për 9.8 përqind dhe arritën vlerën prej 253.6 milionë euro. Kategoria e pagave që përbën kategorinë kryesore të shpenzimeve buxhetore (35.5 përqind e gjithsej shpenzimeve), shënoi rritje prej 7.2 përqind dhe arriti vlerën 293.8 milionë euro.

Borxhi publik, në TM2 2018, ka arritur në 1.03 miliardë euro që është për 9.2 përqind më i lartë krahasuar me TM2 2017. Rritja e borxhit publik në Kosovë i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm publik prej 22.2 përqind (i cili ka arritur në 616.8 milionë euro), ndërsa borxhi i jashtëm publik ka shënuar rënie prej 5.6 përqind dhe ka arritur në 418.4 milionë euro. Pra, pjesa më e madhe e borxhit publik (59.6 përqind) është borxh i brendshëm, që kryesisht përbëhet nga borxhi i Qeverisë së Kosovës ndaj bankave komerciale (41 përqind), fondeve pensionale (25 përqind), etj. Pjesa tjetër e borxhit publik (40.4 përqind) është borxh i jashtëm, që kryesisht i përket Fondi Monetar Ndërkombëtar me 39 përqind, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim me 37 përqind, Agjencisë Gjermane për Rindërtim me 12 përqind, etj.

Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 16.3 përqind nga 15.5 përqind sa ishte në TM2 2017. Përkundër rritjes, ky nivel i borxhit është ende larg pragut prej 40 përqind të paraparë me ligj. Për më tepër, ky nivel i borxhit publik e mbanë Kosovën në pozitën e vendit me shkallën më të ulët të borxhit publik krahasuar me vendet e rajonit, të cilat sipas FMN-së, kanë një mesatare të borxhit publik prej 59.1 përqind.

Sektori i Jashtëm

Deri në maj 2018, sektori i jashtëm është karakterizuar me zvogëlim të deficitit të llogarisë rrjedhëse për 2.2 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ky përmirësim i deficitit të llogarisë rrjedhëse i atribuohet rritjes së bilanceve pozitive të shërbimeve, të ardhurave parësore dhe dytësore ndërsa deficiti i mallrave shënoi rritje. Deficiti në llogarinë e mallrave shënoi vlerën prej 791.2 milionë euro në TM2 2018, që paraqet një rritje vjetore prej 15.7 përqind. Përderisa në vitin 2017 ishte shënuar rritje e theksuar e eksportit të mallrave, viti 2018 ka filluar me trend negativ.

Në TM2 2018 eksportit i mallrave ka shënuar vlerën prej 95.5 milionë euro që është për 7.2 përqind më pak krahasuar me TM2 2017 (figura 15).4 Kjo rënie e eksportit të mallrave ishte për shkak të ngadalësimit të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare por edhe për shkak të stabilizimit të kërkesës së jashtme.

Rënia e eksportit të mallrave gjatë këtij tremujori ishte më e theksuar tek metalet bazë dhe produktet minerale. Në anën tjetër, rritje të lehtë shënoi eksporti i produkteve të plastikës dhe gomës, eksporti i makinerive dhe materialeve elektrike, eksporti i tekstilit dhe artikujve të tekstilit, etj. (figura 16). Si rezultat i rritjes së kërkesës së brendshme në vend, me rritje të konsiderueshme është karakterizuar importi i mallrave. Vlera e importit të mallrave në TM2 2018 ishte 886.7 milionë euro, që është për 12.7 përqind më shumë krahasuar me TM2 2017. Rritje e importit të mallrave u shënua pothuajse tek të gjitha kategoritë, mirëpo rritja më e lartë u shënua tek importi i makinerive dhe materialeve elektrike, metaleve bazë, produkteve minerale, etj. (figura 17). Si rezultat i rritjes shumë të lartë të importit të mallrave dhe rënies së eksportit, shkalla e mbulueshmërisë së importeve me eksporte ka rënë në 10.8 përqind në TM2 2018 nga 12.6 përqind sa ishte në TM2 2017.

Bilanci në tregtinë e shërbimeve shënoi vlerën prej 127.7 milionë euro deri në maj 2018, një rritje prej 20.4 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Vlera e gjithsej shërbimeve të eksportuara shënoi rritje vjetore prej 19.0 përqind, duke arritur në 334.8 milionë euro, ndërsa vlera e shërbimeve të importuara shënoi rritje prej 18.2 përqind dhe arriti në 207.1 milionë euro.

Në kuadër të eksportit të shërbimeve, shërbimet e udhëtimit, që përbëjnë kategorinë kryesore të eksportit (65.6 përqind), shënuan rritje prej 13.9 përqind. Sa i përket importit të shërbimeve, shërbimet e biznesit dhe shërbimet e udhëtimit shënuan rritjen më të lartë, ndërsa shërbimet kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit shënuan rënie. Bilanci i llogarisë së të ardhurave parësore, deri në maj 2018, shënoi vlerën prej 53.4 milionë euro (22.7 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017). Bilanci i të ardhurave nga kompenzimi i punonjësve5 shënoi rritje për 10.4 përqind, ndërsa bilanci i të ardhurave nga investimet u zvogëlua për 35.6 përqind. Në të njëjtën periudhë, bilanci i të ardhurave dytësore shënoi rritje për 11.6 përqind, që i atribuohet nivelit më të lartë të remitencave. Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore arritën vlerën prej 307.8 milionë euro dhe shënuan një rritje vjetore prej 6.5 përqind.

Remitencat që pranohen në Kosovë kryesisht vijnë nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat dërgohen 39.8 përkatësisht 21.5 përqind e gjithsej remitencave. Një pjesë e konsiderueshme e remitencave është pranuar edhe nga SHBA-të, gjegjësisht 6.4 përqind e gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë. Llogaria financiare deri në maj 2018 shënoi bilanc prej -138.9 milionë euro (-184.0 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017). Detyrimet por edhe asetet shënuan nivel dukshëm më të ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Detyrimet shënuan vlerën prej 111.5 milionë euro (266.5 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017) ndërsa asetet shënuan vlerën prej -27.4 milionë euro (82.5 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017).

Në kuadër të detyrimeve, kategoria kryesore janë IHD-të, të cilat arritën vlerën prej 76.0 milionë euro dhe shënuan rënie vjetore prej 34.0 përqind. Në kuadër të strukturës së IHD-ve, me rënie u karakterizua kapitali dhe fondi i investimeve në aksione si dhe investimet në instrumente të borxhit . Kapitali dhe fondi i investimeve në aksione arriti vlerën prej 94.8 milionë euro dhe shënoi rënie prej 3.8 përqind. IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan vlerë negative prej 18.8 milionë euro (16.5 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017). Rënia më lartë e IHD-ve u shënua në sektorin e ndërtimtarisë dhe të shërbimeve financiare (34.1 përkatësisht 12.4 milionë euro) përderisa në patundshmëri dhe në sektorin e tregtisë u shënua rritje e IHD-ve (12.2 përkatësisht 2.2 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar). Sa i përket origjinës së IHD-ve, Gjermania paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti IHD deri në maj 2018 (30.1 milionë euro), pasuar nga Zvicra me 26.4 milionë euro, Austria me 13.8 milionë euro, etj. /Lajmi.net/