Burg përjetë për kamionistin që vrau 5 vetë në Stokholm

Autori i një sulmi me kamion, që la 5 persona të vdekur në Suedi vitin e kaluar, është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të lidhura me terrorizmin.

Bota

07/06/2018 13:22

Uzbeku Rakhmat Akilov, 40 vjeç, kishte shprehur simpati për grupin xhihadist të Shtetit Islamik, përpara se të ndërmerrte sulmin vdekjeprurës në Stokholm.

Megjithatë, prokurorëve iu desh të provonin pikërisht synimin e tij për të dëmtuar shtetin, pasi ISIS nuk doli si zakonisht me një deklaratë për marrjen e përgjegjësisë së atij sulmi.

Akilov, një i azilkërkues të cilit i ishte refuzuar kërkesa për azil, u largua nga vendngjarja, për t’u arrestuar vetëm pak minuta më vonë. Ai rrëfeu gjithçka gjatë marrjes në pyetje në polici.

Ai u largua nga Uzbekistani për në Suedi në vitin 2014 dhe kërkoi nënshtetësi atje, por në dhjetor të vitit 2016 atij iu komunikua se kishte vetëm 4 javë kohë për t’u larguar nga vendi skandinav.

Ai u zhduk për pak kohë dhe vetëm pak muaj përpara sulmit ishte vendosur në listën e më të kërkuarve.