Bulliqi: Serbia ka plaçkitur materialet për kufirin me Kosovën dhe ka manipuluar me to

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një konference të mbajtur dje ka bërë të ditur se menjëherë pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, ka kërkuar nga Komisioni shtetëror për mbikëqyrjen e kufirit të nis punën për shënjimin e kufirit me Serbinë.

Lajme

23/08/2018 11:32

Haradinaj megjithatë tha se të gjithë e dinë ku është kufiri mes Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk ka ndonjë situatë të kontestueshme mes dy shteteve.

Për kërkesën e Haradinajt ka dhënë detaje kryetari i komisionit, Shpejtim Bulliqi. Ai ka theksuar se punët për këtë proces tanimë kanë filluar.

Në një prononcim për Indeksonline, Bulliqi ka thënë se për përmbajtjen e dokumentit nuk mund të deklarohet komisioni, por vetëm Qeveria.

“Është e vërtetë , qeveria/kryeministria muaj më parë na ka kërkuar që t’i fillojmë punët rreth vijës së kufirit me Serbinë. Fillimisht e kemi përgatitur strategjinë, e cila mund t’i shërbejë qeverisë gjatë trajtimit të kësaj çështje në nivel qeverie dhe nivel politik. Për detaje se çka përmban ai dokument, tash i përket qeverisë, andaj nuk mund të flas me shumë”, ka thënë Bulliqi.

Sipas tij, rëndësi e veçantë i është kushtuar asaj që Kosova mos të përsëris lëshimet/gabimet e së kaluarës si dhe gjithçka që më pastaj i shoqëron ato lëshime si pjesë e procesit.

“Puna jonë si komision është e përhershme, detyrë e komisionit shtetëror është e tërë vija kufitare e Kosovës me vendet fqinje, për shkak te sensitivitetit politik që ka nuk jemi prononcuar mjaftueshëm rreth vijës kufitare me Serbinë.  Ne si komision , e kemi të qartë cila është vija kufitare me Serbinë. Ka materiale faktografike të sektorëve të ndryshëm shoqërorë që mbulojnë zonën përreth vijës kufitare me Serbinë”, ka potencuar Bulliqi.

Sa i përket dokumentacionit, kryetari i komisionit për shënjimin e kufirit ka thënë se Serbia ka bërë disa manipulime me to, e që mund të paraqes problem për Kosovën.

“Ka edhe materiale tjera që Serbia i ka plaçkitur, të cilat janë manipuluar bukur shumë, sidomos për brendinë e territorit të Kosovës (fjala është për zyrat kadastrale ilegale nëpër Serbi-kinse komuna të Kosovës), ky edhe është një nga elementet e disa prej problemeve pronësore në brendi të Kosovës. Mund të ketë pretendime nga Serbia për ndonjë zonë , mirëpo besojmë se mund ta mbrojmë me fakte se çdo pjesë e Kosovës i përket Kosovës”, ka shtuar Bulliqi.

Tutje, ai ka thënë se komisioni është i vetëdijshëm se çka e pret dhe se kë e ka në anën tjetër të tavolinës.

“Ne si komision jemi të gatshëm, po ashtu jemi të vetëdijshëm se çka na pret, kënd e kemi në anën tjetër të tavolinës, kurdo që na kërkohet do marrim veprime konkrete (nëse realizohet ndonjë takim me palën serbe). Ne do të trajtojmë vetëm çështje teknike rreth kufirit ekzistues, nuk përcaktojmë kufi të ri, do ta dëshmojmë kufirin ekzistues, nuk kemi mandat as të japim territor të Kosovës por as të marrim çka nuk është e Kosovës”, ka thënë tutje Bulliqi.

Sa u përket daljes me rezultate, Bulliqi ka theksuar se një gjë e tillë nuk varet nga komisionit, por nga politika.

“Ne nuk e dimë se a do të trajtohet kjo çështje me ndërmjetësim (Brukseli) apo do të ketë takime direkte.  Pra krejt kjo çka thashë ka te bëjë me vijën kufitare aktuale te Kosovës, pa opsionet e përfolura muajin e fundit. Mandati ynë është vetëm kufiri ekzistues”, ka përfunduar Bulliqi.