Brezovica e vdekur do të ringjallet me 410 milionë euro investime të huaja

Pas tre vjetëve Brezovica do të jetë një qendër turizmi e skitarie që do t'ia kenë lakmi shumë simotra në rajon. Për 9 vjet ajo do të jetë ndër më të mirat në këtë pjesë të Evropës, kurse pas 15 vjetëve, kjo zonë do të jetë ndër më të mirat në Evropë.

Lajme

01/12/2014 23:48

Kështu parashihet me plani në tri faza i projektit për Brezovicën, që u shpalos në emisionin “Ekonomia me Erzën”, të hënën në Klan Kosova.

Investimet që do të bëhen këtu, përveç zhvillimit të turizmit, do të kenë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik dhe në zbutjen e papunësisë, pasi investimi i rreth 410 milion eurove nga konsorciumi CompagniedesAlpes pritet të krijojë mbi 3 mijë vende të reja pune.

Këshilltari i projektit Brezovica, Manik Begolli tha se dhënia me koncesion ka qenë zgjidhje më e mirë për tërheqjen e investimeve, në pamundësi që shteti të investojë vetë në atë sektor. Ai theksoi se ka qenë koha e fundit që të gjendet një zgjidhje për zonën e cila me vite të tëra ka qenë e lënë anash në mungesë të investimeve.

“Projekti është unik për Kosovën, sepse e dimë se asetet e Brezovicës janë duke fjetur, qe 14 vjet asgjë nuk është bërë dhe derisa atje nuk gjenerohen kurrfarë të hyra, ai vend do të mbetet i vdekur. Përmes këtij projekti, përveç që do të hapen vende të reja pune, gjithashtu do të gjenerohen të hyra për shtetin, do të stimulohet transporti etj”, tha Begolli

Në ringjalljen e Brezovicës beson edhe eksperti i fushës së turizmit, Zekë Çeku. Megjithatë, ky pati kritika për përfaqësuesit e projektit, për arsye të, si tha, mungesës së informimit të qytetarëve për dhënien me koncesion.

“Pasi që ne nuk kemi mjete, zgjidhja e duhur janë investimet në atë pjesë që është larguar edhe nga harta, për shkak të gjendjes që është atje. Pres që me këto investime do të zhvillohet turizmi në atë pjesë. Mirëpo kam një kritikë për përfaqësuesit e projektit, të cilët kanë bërë shumë pak në informimin e opinionit, pasi që, siç e kam parë unë, opinioni është informuar se ajo pjesë po privatizohet”, tha Çeku

Kritika për projektin dhe sidomos për mungesën e transparencës gjatë përzgjedhjes së firmës që fitoi me koncesion, pati edhe gazetari i “Zërit”, Liridon Llapashtica, i cili ka përcjellë këtë proces qe një kohë të gjatë. Ai, mes tjerash përmendi edhe çmimin e lirë të dhënies me qira të tokës, 27 cent për një metër katror, që sipas tij, është shifër qesharake.

Projekti i ri u mirëprit nga Arben Islami, i Snoënjeri. Ky tha se që nga viti 1985 resori turistik i rajonit të Shtërpcës nuk ka funksionuar qysh duhet.

Brezovica e re përfshin gjithsej 3 mijë e 364 hektarë. Në tre vjetët e parë të zhvillimit do të investohen 165 milionë euro. Në fazën e dytë të projektit llogaritet të futen 152 milionë, ndërsa në fazën e tretë, atë përfundimtaren, edhe 92 milionë euro të tjerë.