As me shehër as me Barilevë

Sytëdonë me na i nxjerr me reklama televizive, reklama në radio, fletushka, punëtori e seminare të shumta këta “të huajt”, copë ranë të na edukojnë lidhur me barazinë gjinore, besa besa edhe fonde të mëdha janë derdhë në këtë drejtim. Por kot, ne jemi të papërmirësueshëm, ne nuk jemi as me shehër as me Barilevë, duke qenë shoqëri në tranzicion maratonik, edhe para luftës e sidomos tash pasluftës, mes shumë tjerash edhe në aspektin e të drejtave dhe barazisë gjinore. Sipas një studimi të USAID mbi të drejtat pronësore në Kosovë, i botuar në qershor 2015, vetëm 15.2% të femrave posedojnë pasuri të patundshme në Kosovë, përfshi këtu edhe tokën.

Gratë në Kosovë, në të shumtën e rasteve heqin dorë nga trashëgimia dhe hezitojnë të realizojnë të drejtën e tyre në trashëgimi. A kemi mbet peng i trashëgimisë së mendësisë primitive apoiedukimit në familje?A bëhet kjo nga frika se do t’i prishin marrëdhëniet me anëtarët tjerë tëfamiljes,apo shoqëria heshturazi e favorizonaplikimin ediskriminimit gjinor duke paragjykuar rastet kur femra kërkon të realizojë të drejtën në trashëgimi!

Shoqëria jemi ne, paragjykues deri në palcë!

Sa herë keni dëgjuar komente të llojit: “Po don me ja marrë vllaut hisen, e me qu te burri”!!! Pra me automatizëm e gjithë pasuria e prindërve supozohet të jetë e vëllait/vëllezërve, dhe kur njëgrua kërkon të realizoj të drejtën e saj në trashëgimi, ajo,sipas botëkuptimit të kësaj shoqërie, merr diçka që nuk i takon! Kur në fakt Kushtetuta e Republikës së Kosovës shpall barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë kosovare. Por ne duam vetëm demokraci selektive, veç kur na konvenon, për shembull kur flitet për kontributin financiar që femra/gruaja duhet të jap në familje, krahas kontributit në shtëpi, thonë: “Eh, a po doni barazi gjinore”?! Po barazia gjinore në punët e shtëpisë, në kujdesin për fëmijët, në përgatitje të ushqimit e shumë e shumë të tjera?! Kemi mbet as andej as këndej, në aspektin financiar ne duam që gratë të punojnë e të kontribuojnë financiarisht si në shoqëritë demokratike, por kur përfundon orari i punës, gratë duhet të përvjelin mëngët dhe të fillojnë ndërrimin e dytë derisa shumë prej burrave mbesin burra si në shoqëritë patriarkale. Kjo sidoqoftë do të jetë temë për një herë tjetër, tani do t’i kthehem të drejtës së gruas në trashëgimi.

Kur flasim për mendësinë që mbizotëron në shoqërinë tonë në aspektin e trashëgimisë duhet patjetër të kemi parasysh të drejtën zakonore dhe morale që ka funksionuar për një kohë të gjatë në Kosovë. Këto rregulla zakonore primitive janë trashëguar nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, dhe pa dashur të injoroj vlerat juridike që Kanuni i ka pas për kohën, si dhe vlerat e kapitujve të tërë mbi nderin, besën, mikpritjen etj, virtyte që edhe sot e karakterizojnë shoqërinë tonë, duhet cekur patjetër faktin se ka qenë jashtëzakonisht diskriminues ndaj gruas. Për më keq më shumë rëndësi i është kushtuar bagëtisë “Gjaja e gjallë” sesa gruas, pra kapituj të tërë i janë kushtuar gjajës së gjallë e gruas aty këtu ndonjë rresht dsikriminues!Sipas Kanunit, Tagri i Trashigimit (Nyje i tridhet e gjashte) vajza nuk njihet si trashëgimtare dhe gruaja as te prindërit dhe as të burri nuk bënë pjesë në trashëgimi, madje madje në rast se trashëgimlënësi nuk ka për pasardhës djalë por vetëm vajzëatëherë kërkohet mashkull edhe në rendin më të largët të farefisit vetëm e vetëm që pasuria të mos i ipet njëgruaje. E në anën tjetër vëllezërit janë të obliguar të marrin “bijat” në të pame dy herë në vit nga dy javë apo nga një muaj. Përderisa edhe në ditët e sodit vëllezërit thirren në këto rregulla primitive sa prej tyre sot e marrin motrën “në të pame” si në të shtatat e mbretit?! Mbase jam gabim por nuk njoh shumë të tillë!

Argumenti tjetër: “djemtë kujdesen për prindërit andaj sipas kësaj logjike duhet të trashëgojnë të gjithë pasurinë e tyre” në ditët e sodit kujdesi ndahet në mes vëllezërve dhe motrave, dhe jo rrallë herë pikërisht motrat apo vajzat ju gjenden pranë prindërve shumë më shumë se sa djemtë. Në ndërkohë që ka edhe të atillë qëkrejtësisht të vetëm kujdesen për prindërit, atyre aferim ju qoftë! Por të jetosh me prindër në një shtëpi nuk nënkupton të kujdesesh për ta, kush për kënd kujdeset aty, është mjaft diskutabile! Pasi që trashëgimia është edhe përgjegjësi, edhe në rastet kur kujdesi për prindërit bashkë me trashëgimin i lihet djalit të vogël, nuset duke qenë në pozitë të palakmueshme, nuk marrin përgjegjësi pasi që konsiderojnë tëjenë në derë të huaj! Dhe jo rrallë herëshpërfillin përfitimet e dyanshme që sjell jeta në bashkësi, prandaj a sakrifikohen pafundësisht prindërit në atë shtëpi apo djali me nuse është për t’u diskutuar!

Në anën tjetër mbizotëron edhe qëndrimi infantil tek një pjesë dërrmuese e meshkujve tanë, kryesisht vëllezërve se po ia japin pjesën e tyre (pasurinë e babës) dhëndrit duke shpërfillur totalisht motrën, si qenie njerëzore apo si person fizik. Kam dëgjuar të thuhet: “Pse me ia lanë atij Erifit” apo “Kurrë s’te ka marr ai Erifi pasurinë e babës tem”. Sa shpërfillës është ky qëndrim kur bija/motra nuk përmendet fare, vetëm Erifi, se Erifi na paska status të përjetshëm! Ai Erifi sot është nesër nuk është, bija/motra janë për tërë jetën. Në fund të fundit nuk po ia len ti Erifit se nuk është e jotja me ia lanë dikujt, por është realizim i të drejtës themelore për të trashëguar që garantohet me Kushtetutë dhe Ligjin për Trashëgiminë, neni 3 ku thuhet se: “Të gjithë personat fizik në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”.

Veç kësaj vlen të përmendet se edhe rregullat juridike islame e parashohin të drejtën e femrës/gruas në trashëgimi. Por siç e ceka edhe me herët neve kur na konvenon jemi demokrat, kur na shkon për shtati jemi patriarkaldhe kur na pëlqen bëhemi fetar, pra të gjitha këto rregulla të shoqërisë i konsumojmë sipas rastit, e kemi mbet as me shehër as me Barilevë. Po e përmbylli me një batutë të treshit përsheshit të para shumë viteve po ende aktuale për shoqërinë tonë: “Kishën se deshtem, Xhamisë s’ja ditem rendin, ku n’hamom dojme me e ba vendin?”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *