Bild: Cipras jep dorëheqje?

Gazeta gjermane, Bild, shkroi sot se Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, për shkak të pranimit të kushteve të kreditorëve ndërkombëtarë mund të përballet me një kryengritje brenda partisë së tij dhe se ekziston mundësia që deri në fund të javës të jep dorëheqje.

Bota

14/07/2015 17:38

Për shkak të ndërrimit të kursit në negociatat me udhëheqësit e eurozonës dhe pranimit të masave të kursimit dhe të reformave, Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, përballet me mundësinë e kryengritjes në radhët e partisë së tij.

Ekziston mundësia që ai deri në fund të javës të jep dorëheqje, shkroi sot gazeta gjermane, Bild.

Kryeministri grek tani po përballet me betejën e vështirë për të siguruar mbështetjen e partnerëve të koalicionit për propozimin përfundimtar të udhëheqësve të eurozonës për shpëtimin e Greqisë.

Ministri për Energji, Panajotis Lafazanis, i cili udhëheq Platformën e Majtë brenda partisë në pushtet, Siriza, e ka cilësuar si të papranueshme marrëveshjen me udhëheqësit e eurozonës, duke nënvizuar se kjo marrëveshje bie ndesh me vullnetin e popullit, të shprehur në referendum.

Nga 149 deputetë të Sirizës, 30 prej tyre ja kanë kthyer shpinën Ciprasit, për shkak se ka lëshuar pe para kërkesave të kreditorëve.

Dhe përderisa partia në koalicion, Anel, është kërcënuar se nuk do të përkrahë pakon e propozuar, Cipras po përpiqet t’ia shpjegoi deputetëve ndryshimin e qëndrimit të tij në Bruksel.

Sipas informatave të Bild, Cipras tani po mendon edhe për dorëheqje, për të hapur rrugën për formimin e Qeverisë së përkohshme teknike dhe për shpalljen e zgjedhjeve të reja./21 Media