Bije shitja e prodhimit kosovarë jashtë vendit

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 2.7 për qind në muajin shkurt 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 174,1 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 169,6 milionë euro në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 12.0 për qind.

Lajme

25/03/2017 16:29

Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2017 kishte vlerën 23,6 milionë Euro, ndërsa importi 197,8 milionë Euro, ku është një rënie prej (-1.6 për qind) për eksport dhe një rritje prej 2.2% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK),  ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2017, shkruan lajmi.net.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 37.1 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.7 për qind e përbëjnë produktet minerale; 10.7 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 9.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.3 për qind e përbëjnë produktet bimore; 4.3 për qind e përbën lëkura dhe artikuj prej saj; 4.4 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar etj.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.9 për qind të importit e përbëjnë  produktet minerale; 13.0 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.7 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.2 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 8.3 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.9 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.3 për qind e përbëjnë produktet bimore; dhe 5.9 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj”, thuhet ne raportin e ASK-së.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6,1 milionë Euro, ose rreth 25.7 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-11.8 për qind). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (5.9 për qind), Holanda (4.1 për qind), Britania e Madhe (3.8 për qind), Austria (2.5 për qind) dhe Bullgaria (2.5 për qind).

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 84,2 milionë Euro, ose 42.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.0 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.4 për qind), Italia (5.2 për qind), Greqia (3.5 për qind), Polonia (2.7 për qind) etj.

Ndërkaq,  po sipas të dhënave të raportit, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin shkurt 2017, arritën në 10,1 milionë Euro, ose 42.9 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 24.6 për qind. Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (16.3 për qind), Maqedonia (12.6 për qind), Serbia (7.8 për qind), dhe Mali i Zi (4.0 për qind).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin shkurt 2017, arritën në 60,5 milionë Euro, ose 30.6 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19.4 për qind. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (18.1për qind), Shqipëria (5.2 për qind) Maqedonia (4.6 për qind), dhe B&H (2.5 për qind).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 7,4 milionë Euro, ose 31.3 për qind Kurse, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: India (11.9 për qind) dhe Zvicra (7.8 për qind).

Ndërkaq, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 52,9 milionë Euro, ose 26.8 për qind Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Kina (8.4 për qind dhe Turqia (8.4 për qind). /Lajmi.net/