BERZH-i ndan 100 milionë euro për projekte të infrastrukturës lokale dhe mjedisit në Kosovë

Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga ministri i Financave Bedri Hamza është duke marrë pjesë në takimet vjetore të organizuara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të cilat po mbahen në Aman të Jordanisë.

Lajme

08/05/2018 14:53

Gjatë këtyre takimeve, Hamza është pritur në takim të veçantë nga Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, për të diskutuar mbi bashkëpunimin financiar mes BERZH-it dhe Ministrisë së Financave, përkatësisht Qeverisë së Kosovës.

Ministri kërkoi që përveç aktivitetit aktual, Banka të zgjerojë mbështetjen për sektorin privat, në veçanti për mbështetjen e bizneseve të reja që udhëhiqen nga të rinjtë dhe gratë.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi është nënshkruar edhe Memorandumi i Bashkëpunimit për Infrastrukturë Lokale dhe Mjedis i cili parasheh bashkëpunimin afatshkurtër mes dy institucioneve për projekte në komunat e Kosovës, në vlerë totale deri në 100 milionë euro.

Memorandumi shërben si kërkesë fillestare për financim nga Ministria e Financave të Kosovës për projekte në sektorë kyç të infrastrukturës lokale, siç janë ujërat dhe trajtimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave të ngurta, ngrohja qendrore, transporti, infrastruktura rrugore, dhe efiçienca e energjisë.

Nënshkrimi i këtij memorandumi rithekson zotimin e Ministrisë së Financave për të siguruar financim për projekte të nivelit lokal, të cilat janë të rëndësisë së veçantë për përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës.

Ministri Hamza, gjithashtu pritet të takojë edhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë të Bankës për të diskutuar progresin e projekteve aktuale dhe mundësitë e financimit të projekteve potenciale për Kosovën./Lajmi.net/