Beograd: Shoqëria civile përkujton gjenocidin në Srebrenicë, nacionalistët kundërshtojnë

Përfaqësues të shoqërisë civile në Beograd, kanë organizuar një ceremoni përkujtimi në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Lajme

12/07/2016 00:00

Organizimi, i cili u zhvillua pranë ndërtesës së Parlamentit të Serbisë, u përkrah nga disa organizata përfshirë Nismën Rinore për të Drejtat e Njeriut, Qendrën për Studime Euro-Atlantike, shkruan B92, transmeton lajmi.net

Ata ndezën 8372 qirinj përballë Parlamentit duke shënuar kështu simbolikisht numrin e viktimave në Srebrenicë.

Beograd

Ndërkaq, derisa shteti i Serbisë e mohon gjenocidin, ata vendosen edhe pankarta me mbishkrimet: “Ne kurrë nuk do ta harrojmë gjenocidin në Srebrenicë”, “Numrat janë të rëndësishëm, nëse ata janë njerëz të rëndësishëm – 8372”, “Shumë të rinj për të kujtuar, të detyruar për të mos harruar kurrë”.

“Kjo fushatë ka për qëllim shënimin e 21-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, pasi vitin e kaluar një gjë e tillë na ishte ndaluar”, ka deklaruar Anita Mitic, njëra nga përfaqësueset e shoqëricë civile.

“Është shumë e rëndësishme të përkujtohet Srebrenica, derisa Qeveria e Beogradit përsërit një cirk politik për çdo vit”, ka shtuar Mitic.

Organizimi u ndoq edhe nga shkrimtarja Biljana Srbljanovic dhe deputetja Maja Videnovic nga Partia Demokratike.

Për këtë organizim ka reaguar kryetari i Shoqatës së ashtuquajtur, Familjarëve të kidnapuar në Kosovë, Simo Spasiq. Një grup i ultra nacionalistëve serb u mblodhën përballë shoqërisë civile ku po mbanin tubimin për përkujtimin e Srebrenicës, duke mbajtur në duar fotografinë e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

“Serbët kanë qenë viktima të gjenocidit”, thuhej në një nga pankartat e tyre, ndërsa është parë edhe flamuri i Rusisë.

Ngjarja ishte siguruar nga policia dhe nuk është raportuar për ndonjë incident. /lajmi.net

Beogard 1