Bektashianët nisin “Matemin”, më 12 tetor

Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane njofton besimtarët bektashianë se ditën e shtunë, më datë 1 Tetor 2016, në orën 14.00, bëhet nijeti i fillimit të Matemit.

Lajme

30/09/2016 10:38

Kryegjyshata shpjegon se “Matemi është zija përkujtimore që mbahet në dhjetë ditët e para të Hënës Muharrem. Në këto 10 ditë përkujtohen ngjarjet e hidhura të Qerbelasë, vihen në dukje të gjitha sakrificat, vetëmohimi që u bë atje për mbrojtjen e demokracisë dhe dispozitave fetare, për interesin e përgjithshëm, për të mirën e popullit.

Dëshmorët e Qerbelasë, me Hysejnin e Madh në krye, ranë në fushën e nderit, duke qenë të etur për një pikë uë në vapën e nxehtë të gushtit. Bota Islame e çmon këtë dhe për nder të tyre, dhjetë ditë me rradhë nuk pi ujë. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve, në shenjë zie, besimtarët mënjanojnë të gjiha lukset. Për nder të sakrificave të të parëve të besimit, Imam Hysejnit, familjes dhe besnikëve të Tij, duhet që këto 10 ditë të mos organizohen ceremoni të gëzueshme, si dasma e gëzime të tjera që e zbavisin njeriun. Në këto 10 ditë, gjak në shtëpitë e bektashinjve nuk bëhet dhe gjëra me shpirt nuk hahen: si mish, vezë etj. Bulmeti gjithashtu nuk përdoret si ushqim, por vetëm gjërat e tokës.
Grindjet, sharjet, ofezat nuk përdoren, brisk në faqe e në thonj nuk vihet, ujë në trup nuk hidhet. Tri ditët e para dhe të fundit, lugë në sofër nuk ka dhe sofër nuk shtrohet. Në përgjithësi, është kufizim në ushqim e kufizim në të folur.

Gjatë 10 ditëve të Matemit, besimtarët bektashianë, në orën 11.00 mblidhen në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, për të lexuar librin “Kopshti i të Mirëve”, në të cilin tregohet ngjarja e dhimbshme e Qerbelasë.”

Ditën e parë përkujtohen mundimet e Profetit Adem për të kryer misionin e shenjtë.

Dita e dytë e leximit i kushtohet vuajtjeve të Profetit Muhammed, i cili u mundua për të nxjerrë popullin nga errësira e skllavërisë në dritën e mirësisë dhe të njerëzimit.

Dita e tretë i kushtohet të Madhit Ali, i cili u sakrifikua dhe ra dëshmor për të udhëhequr botën në rrugën e mbarë.

Dita e katërt i dedikohet të Madhit Imam Hasan, i cili u helmua tradhëtisht prej ambicieve të njerëzve të egër.

Në ditën e pestë tregohet biografia e Imam Hysejnit: lindja dhe jeta e Tij.

Në ditën e gjashtë lexohet emigrimi i Imam Hysejnit nga Medina në Meke, që të mos provokonte grindje me Jezitin.

Dita e shtatë i dedikohet martirizimit të Myslim Akilit, ngjarjes më të egër që ka parë bota.

Dita e tetë përmban drejtimin e Imam Hysejnit për në Qofe, ku i ftuar prej popullit, shkonte për t’i drejtuar në rrugën e mbarë.

Dita e nëntë përmban mbërritjen e Imam Hysejnt në vendin Qerbela.

Dita e dhjetë e leximit është dita e fundit, që tregon luftën e Qerbelasë, në të cilën Imami bie dëshmor në fushën e nderit bashkë me shokët e Tij. Aty u martirizua, por kujtimi i Tij u përjetësua dhe përkujtohet çdo vit.

Në datën 11 Tetor çelet agjërimi i Matemit dhe vihet në zjarr Ashurja, ëmbëlsira që bëhet për këtë rast.

Në datën 12 Tetor, në orën 10.00 zhvillohet në Selinë e Shenjtë, ceremonia e Ashures me besimtarët dhe më pas, gjatë gjithë ditës, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, organizon pritjen me rastin e këtij eventi me të ftuar personalitete të ndryshme, të politikës së vendit e rajonit, përfaqësues të komuniteteve fetare, trupën diplomatike të akredituar në Tiranë e të tjerë të ftuar të rëndësishëm.

Në vijim, do të postojmë edhe kalendarin e Ashures që do të hartohet nga Kryegjyshi. Për arsye se shumë zona të vendit janë të pambuluara me klerikë bektashianë, kalendari i Ashures konsiston në datat kur do të zhvillohet ceremonia e Ashures në atë zonë.