Beg Bajra: Në Lagjen e Trimave erdhëm me autoambulancë dhe me një polic

Njëri nga të akuzuarit në rastin "Lagjja e Trimave", Beg Bajra, pohon se pas sulmit në kullën e Gushincës, dikush i është lajmëruar Mirsad Ndrecajt dhe me gjasë i ka dhënë urdhër për t'u kthyer pas në Kosovë, në pritje për kohë të përshtatshme që të kthehen me aksionin e radhës.

Lajme

20/04/2017 12:47

Bajra, raporton TV Shenja nga seanca e djeshme gjyqësore, nuk dha detaje lidhur me sulmin në Gushincë por vetëm ishte decid se as nuk kishin ofenduar e as keqtrajtuar ndonjë pjesëtar policie. Bajra ka qenë i bindur se gjithandej Maqedonisë ekzistojnë grupe të mëdha ushtarësh të UÇK-së pasi kështu i kishin thënë liderët e grupit, por kjo nuk ishte e vërtetë. Bajra nuk përmendi emra zyrtarësh ose personash të përfshirë në këtë rast, pasi tha që ai i ka besuar Xhafer Zymberit dhe Beg Rizajt të cilët e kishin ftuar ti bashkangjitet grupit dhe se asnjëherë nuk kishte pyetur për detaje të iniciativës.

“Mirsadi mori 3,4 telefonata një ditë pas sulmit në Gushincë. Kush i dha urdhër Mirsadit të kthehemi në Kosovë unë nuk e di. Unë, Valdet Zekaj e Demë Shehu nuk e kemi pasë nijet  të kthehemi në Kosovë. Më 7 maj, isha tu hangër buk në oborr të shtëpisë në Kumanovë. E dëgjova bisedën e Xhaferit me Mirsadin se Malisheva kishte ardhë në Hotël, dhe duhet të vijë në Lagjen e Trimave. I pyeta se përse duhet të vijë këtu Malisheve dhe çka po bëjmë ne këtu. Ai asnjëherë nuk më ka thënë se do të sulmojmë dikë ose ndonjë objekt. Në ditën e luftimeve kur na sulmuan e pyeta Mirasdin, ku janë pjesëtarët e tjerë thirrni le të mobilizohen. Por më tha se nuk e hapin telefonin” , ka deklaruar Beg Bajra, i dyshuar në rastin “Kumanova”

Bajra rrëfeu një moment indikativ lidhur me rastin. Nga fshati Sllupçan deri në Lagjen e Trimave, grupi sipas Bajrës, ishte transportuar me një makinë të ndihmës së shpejtë dhe udhërrëfyesi i tyre kishte qenë një polic, i veshur me  uniformë policore. Fillimisht Bajra kishte menduar se shtëpia në të cilën ishin strehuar ishte e policit i cili i kishte sjellë në atë shtëpi.

“Më 2 maj jemi ndalë me pushu tek pishat në Sllupçan. Pastaj prej aty erdh na mori nji ambulanc e na çoj deri te Lagjja e Trimave. Kemi shku te nji shpi, mendova se ishte e policit, por ajo kishte qenë e Fadil Fejzullahut. Kët njeri e kemi marrë në qafë se te shqiptart është traditë, shtëpia është e mysafirit dhe Zotit, mysafirin nuk mundet kërkush me përzan”, tha më tej ai.

Bajra teksa përshkruante rrugëtimin e tij në Maqedoni, disa herë e quajti aktakuzën për terrorizëm si thashethem, pasi ai dhe pjesëtarët e grupit nuk kishin qëllime terroriste dhe asnjëherë në mesin e tyre nuk ishte folur për sulme të armatosura. Avokatja e tij Artene Ademi Iseini shpjegon se klienti i tij kishte vetëm qëllime paqësore, në frymë patriotike, e jo sulme ndaj ndonjë objekti ose personi.

“Sipas Beg Bajrës ose Naser Bajraliut nga Gjilani, ata kanë qenë të ftuar nga ana e disa personave të Maqedonisë për rimobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Pra qëllimi i tyre ka qenë bashkimi”, ka deklaruar Artene Ademi Iseini, avokate.

Bajra tha se në momentin e arrestimit dhe pasi e kanë dërguar në stacion dhe prokurori, disa pjesëtarë të policisë e kanë lidhur dhe rrahur mizorisht duke ia thyer edhe nofullën dhe thyerjet e tij nuk janë trajtuar siç duhet edhe sot e kësaj dite.

Gjatë seancës së sotme dëshmoi dhe Fejzulla Rushitovski. Nga seancat e ardhshme ata që do të merren në pyetje do të jetë të akuzuarit për logjistikë të grupit. Muaji maj do të jetë përplot me seanca të këtij rasti. Thuajse çdo të dytën ditë pune do të ketë seancë gjyqësore.