BE dhe EULEX nuk pajtohen me zgjedhjen e drejtorit të Shërbimit Korrektues

EULEX janë të pakënaqur me zgjedhjen e drejtorit të Shërbimit Korrektues. Sipas tyre Emrush Thaçi nuk i ka plotësuar kushtet dhe se ka pasur kandidat më të mirë për këtë pozitë. 

Lajme

29/11/2014 08:39

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur për drejtor të Shërbimit Korrektues të Kosovës Emrush Thaçin, ani pse Komisioni vlerësues nuk e kishte renditur si më të mirin prej kandidatëve.

Me dhjetëra pikë diferencë nga kandidati i parë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e pesë nëntorit ka vendosur që tani e tutje Emrush Thaçi të jetë drejtor.

Por një gjë e tillë nuk i ka pëlqyer misionit EULEX, i cili, sipas informatave që ka gazeta, kishte miratuar kandidatin Sokol Zogaj, sepse ai kishte pasur më së shumti pikë.

“Pakënaqësia” e EULEX-it e ka shtyrë Komisionin Evropian që të kërkojë përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës se “në cilën bazë ligjore” janë bazuar kur e kanë zgjedhur Emrush Thaçin drejtor, shkruan Koha Ditore.

Por Qeveria e Kosovës thotë se “janë bazuar në ligj”, ndonëse nuk kanë dhënë informata se cili ligj thotë që ka përparësi kandidati i dytë në listë përpara kandidatit të parë.

Përmes një shkrese të Komisionit Evropian të cilën e ka siguruar gazeta, kërkohet përgjigje nga Qeveria e Kosovës për një vendim të tillë. Thuhet se paneli dhe EULEX-i kishin zgjedhur tjetër kandidat, ndërsa Qeveria kishte miratuar kandidatin tjetër.

“Për emërtimin e drejtorit të Shërbimeve Korrektuese të Kosovës, pse nuk është ndjekur procedura e përzgjedhjes? Pse Kandidati i përzgjedhur nga paneli dhe miratuar nga EULEX, nuk është emëruar në fund (por është emëruar numër 2)? Ju lutemi jepni arsyet për veprimin e kundërt nga sugjerimi i panelit dhe EULEX-it?”, thuhet në shkresën e Komisionit Evropian.