BB për Kosovën: Bujqësia, sektori që aktualisht sjell më shumë punësim e zhvillim

Qeverinë e ardhshme e presin vendime shumë të vështira për adresimin e prioriteteve urgjente zhvillimore dhe paralelisht për të siguruar stabilitet makro-fiskal, ka thënë kreu i Bankës Botërore për Kosovë, Jan-Peter Olters.

Lajme

20/07/2014 10:49

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Olters ka numëruar faktorët dhe vendimet e qeverisë që do të ngufatin çfarëdo potenciali për përshpejtim të rritjes ekonomike.

Ai ka vlerësuar se qeveria e re duhet të hartojë një strategji të pranueshme ekonomike nga shumë palë, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet siç ka qenë dështimi i privatizimit të PTK-së. Olters ka folur edhe për sektorët në të cilët duhet të koncentrohen zhvillimi ekonomik i Kosovës. Thotë se bujqësia është sektori që aktualisht mund të sjellë më shumë punësim dhe zhvillim.

“Gjatë kohës së nevojshme për të ndërtuar bazat për një ekonomi të fortë, sidomos në sektorët e energjisë dhe të arsimit, stimuli për rritje në aspektin afatshkurtër dhe afatgjatë duket se vjen nga bujqësia, një sektor ky që po ka sukses në rritjen e produktivitetit dhe kualitetit të prodhimit të vet”, ka thënë ai.

Menaxheri i Bankës Botërore, Olters, ka folur edhe për dështimin e procesit të privatizimit të PTK-së, debatin e gabuar për privatizimin e Distribucionit, investimet e huaja dhe për kartonin e gjelbër. (Koha Ditore)