Bashkë me Limajn e Krasniqin

Zafir Berisha ka bërë me dije se do të bëhet bashkë me Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin për ta dërguar, siç thotë ai, në shtëpi PDK’në. Berisha thotë se në zgjedhjet parlamentare partia e tij do të garojë së bashku me subjektin e ri të Limajt.

Lajme

27/02/2014 07:12

Kryetari i Bashkimit Demokratik (BD), Zafir Berisha, ka vlerësuar se muaji qershor është koha më ideale për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Berisha ka thënë se kjo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi sa më parë të jetë e mundur. Ndërsa çuarjen në shtëpi të Qeverisë Thaçi ai e planifikon me partinë që pritet të themelohet nesër.

“Jemi duke i bashkërenditur veprimet me iniciativën e Jakupi dhe Fatmirit për të qenë së bashku në zgjedhjet parlamentare. Pra, jemi të interesuar ta faktorizojmë një frymë politike e cila, për fat të keq është duke i munguar Kosovës”.

Për jetëgjatësinë e Qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi, Berisha e ka fajësuar drejtpërdrejt liderin e LDK’së, Isa Mustafën, dhe atë të AAK’së, Ramush Haradinajn.

”Në Kuvendin e Kosovës vetëm Vetëvendosje ka qenë opozitë. LDK’ja dhe AAK’ja janë dy parti të cilat e kanë mbajtur në pushtet Hashimin”.

“Iniciativës së Jakupi dhe Fatmirit do t’i bashkohen njerëz nga subjektet e ndryshme politike. Natyrisht se do të ketë edhe nga PDK’ja sepse kësaj partie i ka humbur rruga në oborr. Besoj se të pakënaqurit në PDK do t’i bashkohen Jakupit dhe Fatmirit”, është shprehur Berisha për “Epoka e Re”.