Bamieh: Udhëheqja aktuale e EULEX-it nuk do t’i ndjekë peshqit e mëdhenj

Ish Prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh e cila u bë e njohur për publikun me akuzat e saj për korrupsion përbrenda EULEX-it, ka mbajtur një bashkëbisedim me studentët e Kolegjit Universum, ku ka folur për përvojën e saj me EULEX-in në Kosovë dhe se çfarë vërtet ka ndodhur brenda këtij misioni të sundimit të ligjit.

Lajme

04/12/2015 19:05

Ajo edhe në këtë bashkëbisedim, ka drejtuar akuza të rënda drejt EULEX-it duke thënë se misioni për sundim të ligjit, që nga fillimi nuk ka patur ndonjë plan për Kosovën porse të gjitha aktivitetet i ka zhvilluar ad-hoc.

Ajo të njëjtën e ka thënë edhe për Mitrovicën duke treguar se nga fillimi nuk ka patur ndonjë plan për të rregulluar çështjen e Mitrovicës dhe ka treguar se edhe Gjykata që ka qenë funksionale në veri në kohën e UNMIK-ut, është mbyllur dhe nuk ka funksionuar asnjëherë gjatë mandatit të EULEX-it.

Bamieh shtoi se në Kosovë ka nivel të lartë korrupsioni dhe se njerëzit frikësohen të raportojnë korrupsionin sepse nuk kanë një adresë të besueshme dhe nuk janë të sigurtë. “Kosova nuk është një vend i sigurtë për dëshmitarët” ka thënë Bamieh, raporton lajmi.net.

Ajo ka porositur kosovarët që të marrin fatin në duart e veta dhe ka porositur se “EULEX nuk ka për t’i kryer punët tuaja”./lajmi.net.