“Ballkani pa kufij”

Europa Juglindore i ofron Kinës, atë që Brukseli preferon ta ndalojë: Aksesin në tregjet e Europës. Vizita në Kinë e presidentit serb ia kujton këtë me dhimbje BE-së, mendon analisti i DW-së, Frank Sieren

Bota

30/03/2017 09:07

Në portofolin e voluminoz të shteteve, me të cilat Kina mban marrëdhënie të mira, Serbia kurrësesi nuk është ndër ato që bien në sy. E megjithatë marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve duhen parë më nga afër, nëse do të kuptosh, se si Kina po depërton në tregun europian. Ndryshe nga vendet fqinjë si Hungaria, Rumania apo Bullgaria, Serbinë si vend jo-anëtar në BE nuk e prekin rregullat e kufizimet e BE-së, që ekzistojnë tashmë në Europë. Kësisoj Serbia edhe gjatë viteve të shkuara ka mundur të ndërlidhet shumë më ngushtë me Kinën krahasuar me fqinjët e saj në BE. E ka pasur fare pak politikanë të BE-së, që kanë mundur t’i kundërvihen nismave të Kinës.

Stacion i madh për presidentin Nikoliç

Këtë javë presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç vjen për një vizitë dyditore në Pekin. Që kjo nuk është një vizitë sekondare për Pekinin, e tregon pritja që i bëhet atij: si presidenti Xi Jinping, ashtu edhe kryeministri Li Keqiang dhe kryetari i Kongresit Kombëtar Popullor, Zhang Dejiang, do t’i shtrojnë atij tapetin e kuq. Triumvirati i pushtetit politik në Kinë gjen kohë për presidentin e Serbisë. Nikoliç madje do të nderohet me titullin qytetar nderi i Pekinit. Ky që në thelb është vetëm një formalitet, tregon, se sa seriozisht i merr Pekini marrëdhëniet. Nikoliç jo vetëm do të shohë kreun politik të Kinës, por atij do t’i serviren edhe kontakte me sipërmarrësit – p.sh. me Huawei, koncerni për teknologjinë e komunikacionit, menaxheri i të cilit ka hedhur një sy në tregun serb.

Muajin e kaluar një firmë kineze nisi me punimet e ndërtimit të autostradës E-763 mes Surçin dhe Obrenovaç. Presidenti Xi vet në verë ishte në Serbi, për të nënshkruar marrëveshjen. Në fillim të marsit u bë e ditur, se shitja Kinës e minierës së bakrit bashkë me furrënaltën e emërtuar RTB Bor është pothuajse punë e mbaruar. Ndërtimi i një parku industrial nën drejtimin e China Road dhe Bridge Corporation, shkurt CRBC, ndërkohë ka nisur.

Interesi i Kinës në ndërtimin e infrastrukturës serbe është i madh. Për një unazë autostradë rreth Beogradit ndërkohë para pak ditësh janë premtuar nga investitorët kinezë mbi 200 milionë Euro. Eshtë ende e paqartë, nëse segmenti hekurudhor i planifikuar mes Begradit dhe Budapestit do të ndërtohet prej kinezëve. Fillimisht ky segment rreth 350 km. i gjatë dhe me vlerë rreth 2,6 miliardë Euro iu dha kompanisë China Railway International Corporation. Por BE-ja ka deklaruar, se do ta verifikojë dhënien e mandatit në Hungari, sepse për këtë nuk ka pasur tender publik, siç parashikohet në direktivat e BE-së për të tilla projekte. Kjo është e vetmja pikëtakimi, në të cilën mund të ndërhyjë Brukseli: projektet transeuropiane. Serbia vet vazhdon të luajë jashtë rregullave ekonomike të BE-së.

Janë planifikuar udhëtimet pa viza

Nga ana tjetër Brukseli me siguri do të kishte ndërmarrë diçka edhe kundër thjeshtimit të rregullave për vizat, që ka vendosur ky vend i Ballkanit me Kinën vitin e kaluar. Qytetarët e të dy vendeve nuk kanë nevojë për vizë nëse udhëtimet e tyre nuk zgjasin më shumë se 30 ditë. Gjermanët ëndërrojnë për një gjë të tillë! Një hap ky, prej nga Serbia shpreson për një bum turistik në të ardhmen. Në panairin vjetor të turizmit në Serbi, që u zhvillua në shkurt, Kina mori pjesë për herë të parë zyrtarisht.

Serbia ende nuk është ndër destinacionet e para turistike për kinezët, por sidoqoftë shifrat flasin për rritje. Më 2016 ishin 29 përqind më shumë turistë se një vit më parë. 43.000 turistë në vitin nuk përbëjnë ndonjë shtyllë ekonomike, por në krahasim me 12.000 turistë më 2011 ky është një fillim i mirë.  Shpresa e kryeministrit Aleksandar Vuçiç lidhet tani me lidhjen direkte ajrore Beograd-Pekin. Për panairin sivjet për herë të parë u skicua edhe një broshurë me ture në të dyja vendet për kinezët. Njëri prej këtyre tureve titullohet “Ballkani pa kufij”. Ajo që për ndokënd tingëllon si turizëm paqësor, i bën të turfullojnë strategët në Bruksel – sepse kjo nënkupton futjen në Europë përmes derës së pasme./DW